E Diel, 1 Nëntor 2026

Fillimi i Kuvendit, PD: Opozitën e presim në Kuvend

Kur kanë mbetur vetëm 5 ditë nga hapja e punimeve të sesionit të ri parlamentar, PD-ja ngul këmbë për praninë e opozitës së majtë në Kuvend. PD-ja i sugjeron PS-së dhe kryetarit Edi Rama ndërmarrjen e vendimit të drejtë, logjik dhe që shkon në përputhje të plotë me kërkesën e ndërkombëtarëve për pjesëmarrjen e saj në sallën e Parlamentit. Pikërisht në prag të fillimit të këtij sesioni, mazhoranca parlamentare ripërsërit thirrjen e saj drejtuar opozitës që t’i japë fund bojkotit dhe të bëhet pjesë e angazhimeve ligjore në Kuvend. Deputeti demokrat Aldo Bumçi e cilëson aksion politik artificial vendimin e kryesocialistit Rama për të mbajtur jashtë dyerve të Kuvendit të zgjedhurit socialistë, si dhe shkon më tej kur thotë se ky vendim i opozitës së majtë është një bojkot jo vetëm ndaj qytetarëve, por dhe rezolutës së Bashkimit Evropian.
Deputeti demokrat kritikon qëndrimin bojkotues të socialistëve ndaj Kuvendit, ndërsa e fton atë të bëhet pjesë e debatit brenda këtij institucioni, i cili prodhon ligje dhe reforma të rëndësishme për vendin. “Ky është një aksion politik artificial i opozitës. Opozita duhet t'i japë fund këtij bojkoti dhe të vijë në Kuvend, pasi ky është një bojkot jo vetëm ndaj qytetarëve, por edhe një bojkot ndaj rezolutës së BE-së, që i kërkon opozitës që aksionin e saj politik ta zhvillojë në institucionin e Kuvendit”, - u shpreh z. Bumçi.
Deputeti Bumçi komentoi edhe deklaratat e opozitës në lidhje me pretendimet e saj për antikushtetueshmëri, të disa prej ligjeve që kanë kaluar në kuvend me votat e mazhorancës. Sipas tij, e drejta e ankimimit është një garanci ligjore, por në vetvete kjo situatë është absurde. “Pasi ata ishin në Kuvend dhe ikën dhe po të kenë vërejtje t'i bëni ato në Kuvend, në rast se mendojnë se këto ligje kanë shkelje”, - theksoi z. Aldo Bumçi.
Ndërkaq, socialistët e kanë depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese dhe marrëveshjen e shelfit kontinental që përcakton kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë me argumentin se cenon sovranitetin territorial të Shqipërisë. Por, përpos bojkotit të stërzgjatur të opozitës, tashmë po afron dhe data e skadimit të afateve përfundimtare të mandateve, ku në bazë të ligjit, nëse deputetët nuk betohen brenda 6 muajve, humbasin të gjitha mandatet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›