Menjëherë pas takimit të zhvilluar sot Kryeministri i Shqipërisë z. Fatos Nano dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB për Misionin e UNMIK-ut në Kosovë z. Harri
Menjëherë pas takimit të zhvilluar sot Kryeministri i Shqipërisë z. Fatos Nano dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB për Misionin e UNMIK-ut në Kosovë z. Harri Holker dhanë një deklaratë për median.
Kryeministri Fatos Nano: Pata kënaqësinë të pres Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Misionin e UNMIK-ut në Kosovë zotin Harri Holker, i cili viziton Tiranën me ftesë të Presidentit Moisiu dhe të shkëmbej me të informacionin dhe pikëpamjet për interesa të përbashkëta dhe për marrëveshje, që Kosovën dhe Shqipërinë në një kuadër bilateral dhe rajonal, e vë në marrëdhënie shkëmbimesh të lira jo vetëm qytetarësh, por edhe mallrash dhe kapitalesh.
Zoti Holker dhe Qeveria e Shqipërisë, nesër, do t'i shtojnë një instrument të ri këtyre marrëdhënieve. Do të nënshkruhet Marrëveshja e Mbrojtjes dhe e Garantimit Reciprok të Investimeve, që do të mbështesë zbatimin më të mirë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë.
Pata kënaqësinë e veçantë jo vetëm të njihem personalisht me z. Holker, por edhe të ndaj me të të njëjtat pikëpamje për vazhdimin e punës së institucioneve në Kosovë, të rolit konstruktiv të institucioneve në Shqipëri, që të zbatohet plotësisht Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB, që të gjejë zbatim të frytshëm plani i standarteve për Kosovën në 18 muajt që vijojnë, për të nxitur akoma më shumë stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal edhe me diskutimin në verën e vitit të ardhshëm, për fillimin e diskutimeve për statusin e ardhshëm të Kosovës.
Ne do të vazhdojmë të nxisim këtë bashkëpunim krahas segmenteve të tjerë të bashkëpunimit rajonal, krahas segmenteve të tjerë të dialogut midis kryeqyteteve të rajonit, krahas dialogut Prishtinë-Beograd.
Z. Harri Holker: Ashtu sikurse u shpreh edhe Kryeministri juaj, ju tashmë e dini se interesi jonë i përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe UNMIK në Kosovë.
Unë po përpiqem të shpjegoj se ne kemi shumë programe të lidhura ngushtë dhe duam të ecim përpara me procesin e implementimit të standarteve për Kosovën, kështu që kur takohemi ne krijojmë mundësinë për një rishikim pozitiv të çështjes dhe të diskutojmë për gjëra që lidhen me statusin e ardhshëm politik të Kosovës.
Unë, gjithmonë, kam deklaruar se mendoj, se të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të dinë se cila do të jetë e ardhmja politike e vendit të tyre. Dhe kjo do të vendoset nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, kur të bëhet implementimi i standarteve. Targetet janë shumë kërkuese dhe korniza kohore e ngushtë, por në punën tonë ne mbetemi optimistë për muajt që vijnë edhe pse mbeten vetëm 15-16 muaj, deri në takimin tonë të 2005.
Ne diskutuam për çështje të rëndësishme siç është ai i dialogut Prishtinë-Beograd, si dhe për çështje të tjera të rëndësishme në bashkëpunimin tonë të përditshëm shumëplanësh si lufta kundër krimit të organizuar, bashkëpunimit ekonomik dhe atë në fushën e policisë. Për detaje të tjera të vizitës sime ju do të njiheni nesër në një konferencë për shtyp.
Dua të theksoj se i jam shumë mirënjohës Qeverisë Shqiptare që më dhanë këtë mundësi të diskutoj këtu, pasi unë po përpiqem që të gjej sa më shumë informacion nga vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse fati juaj këtu në Shqipëri dhe fati jonë në Kosovë, si dhe në vende të tjera të rajonit, janë të lidhura ngushtë sëbashku dhe ato duhet të gjejnë zgjidhje sëbashku.