Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Misionin e UNMIK-ut në Kosovë, Harri Holker.
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Misionin e UNMIK-ut në Kosovë, Harri Holker.
Në fillim të takimit, Kryeministri Nano ka theksuar se politika e Shqipërisë ndaj Kosovës është në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe qëndrimet e mirënjohura të bashkësisë ndërkombëtare.
"Në këtë kuadër, bashkëpunimi institucional midis Qeverisë së Shqipërisë dhe UNMIK-ut, Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, si dhe institucioneve vetëqeverisëse do t'i përmbahet këtyre linjave", u shpreh Z.Nano.
Kryeministri Fatos Nano ka vlerësuar qëndrimin e Z.Holker, të Qeverisë së Kosovës dhe spektrit politik kosovar në tërësi për vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit për çështje teknike, ndërkohë që ka shprehur angazhimin e Qeverisë së Shqipërisë për inkurajimin e faktorit politik të Kosovës në mbështetje të këtij dialogu, si dhe për të kontribuar në përgatitjen e grupeve teknike të punës.
Në takim është vlerësuar dhe është mbështetur politika amerikano-perëndimore "Standartet për Kosovën". Po ashtu është vlerësuar puna e grupeve të punës për implementimin e standarteve dhe është konfirmuar mbështetja e Qeverisë së Shqipërisë për të nxitur faktorët relevantë në përmbushjen e standarteve brenda afateve të përcaktuara, që do ta përgatiste Kosovën të shkonte sa më parë drejt zgjidhjes përfundimtare të statusit të saj.
Z.Nano ka vlerësuar përpjekjet e bëra nga UNMIK për përfshirjen e Kosovës në proçeset integruese rajonale dhe europiane, në Proçesin e Stabilizim-Asociimit të BE-së përmes Mekanizmit Përcjellës, si dhe ka rikonfirmuar angazhimin për të mbështetur përpjekjet lidhur me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kosovës në takimet rajonale e ndërkombëtare.
"Shqipëria është për një Kosovë të hapur dhe një dialog të gjithanshëm si me Brukselin e Uashingtonin, ashtu edhe me Tiranën, Beogradin, Shkupin, Podgoricën, etj.", u shpreh Kryeministri Nano.
Duke u ndalur në forcimin e shtetit ligjor, dy personalitetet e larta u angazhuan të bashkërendojnë përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar, sigurimit të kufijve, trafiqeve të paligjshme, evazionit fiskal, etj, në kuadër bilateral e rajonal.
Kryeministri Nano ka vlerësuar punën e UNMIK-ut për proçesin e privatizimit në Kosovë, i cili ka rëndësi për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Po ashtu, Z.Nano ka vlerësuar përpjekjet e Z.Holker dhe të Qeverisë së Kosovës, për krijimin e kushteve për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare, në tetor të këtij viti.
Duke u ndalur në rëndësinë e bashkëpunimit institucional midis Shqipërisë dhe Kosovës, Kryeministri Nano ka shprehur gatishmërinë për rritjen e këtij bashkëpunimi me UNMIK-un dhe Qeverinë e Kosovës, në përputhje me Rezolutën 1244.
Z.Nano ka vlerësuar kontributin e UNMIK-ut për nënshkrimin e 14 marrëveshjeve e memorandumeve dypalëshe, midis Shqipërisë dhe UNMIK-ut, përfshirë këtu edhe Institucionet e Vetëqeverisjes së Përkohëshme të Kosovës, ku Kryeministri Nano vlerësoi si ndër më të rëndësishmet nënshkrimin gjatë vitit 2003 të Marrëveshjes së Tregëtisë së Lirë dhe Marrëveshjen për mbrojtjen e investimeve, nënshkruar me rastin e kësaj vizite. Z.Nano ka shprehur dëshirën që të bëhet më shumë për implementimin e marrëveshjes në fushën e arsimit, nënshkruar rreth dy vjet më parë.
"Do të ishte me interes nëse, në kuadër të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, do të fillonte për shembull shkëmbimi i programeve, kurrikulave dhe teksteve mësimore, pedagogëve e nxënësve, etj", u shpreh Kryeministri Nano.
Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit, Kryeministri Fatos Nano njoftoi për vizitën që do të zhvillojë së shpejti në Kosovë, me rastin e së cilës do të bëhet edhe inaugurimi i rikonstruksionit te plote te Pikës Doganore të Morinës.