“Mbledhja ishte sa komike, aq edhe tragjike, Rama u largua me buxhet ndër shalë”

TIRANE - Partia Demokratike reagoi dje nëpërmjet zëdhënësit të saj, Gerti Bogdani, për çështjen komike të buxhetit të Bashkisë së Tiranës, ku kryebashkiaku Rama me arrogancë të tepruar, jo vetëm që nuk jep llogari para këshilltarëve se si do menaxhohen fondet, por zgjedh të bëjë edhe ironi. Sipas zëdhënësit të selisë blu Gerti Bogdani, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, u demonstrua arroganca dhe mendjemadhësia e Ramës, për hir të interesave të ngushta personale. “Fatmirësisht, në një transmetim live të arrogancës, mendjemadhësisë dhe interesit të ngushtë personal të kryetarit të Bashkisë, qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë patën mundësi ta ndjekin ‘live’ në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për Buxhetin”, tha Bogdani.
Zëdhënësi i PD-së ironizoi dështimin e radhës të bashkisë për të miratuar buxhetin me gjithë kërcënimet verbale të Ramës, përsëri ky i fundit u detyrua të largohet me buxhet ndër shalë.
“Një mbledhje sa komike aq edhe tragjike, ku Kryetari i Bashkisë, u largua përsëri me buxhet ndër shale”, u shpreh Bogdani.
Partia Demokratike, akuzoi midis të tjerave dje kreysocialistin Edi Rama, si dhunues dhe censurës të medias dhe fjalës së lirë, duke përdorur një pjesë të tyre, nëpërmjet shantazheve dhe premtimeve servilosëse.
Zëdhënësi i selisë blu Gerti Bogdani u shpreh dje se diktatori dhe censuruesi i fjalës së lirë, Edi Rama, në qoftë se në median e Ballës, me premtimin se Belinda do të bëhet ministre, i jep Partisë Demokratike vetëm 5.7 për qind kohë televizive, krahasuar me 30.1 për qind për Partinë Socialiste.
“Këto shifra nuk kanë nevojë për koment, diskriminimi është i skajshëm dhe i dukshëm. Tashmë ka shtrirë kontrollin edhe në median e radhës, ku duke keqpërdor buxhetin e Bashkisë së Tiranës dhe lejet e ndërtimit, i ka dhënë kompanisë Edi-Al hyrjen e Tiranës për miliona Euro në ndërtime. Duke mos u mjaftuar me kaq, Rama do të ndërtojë së bashku me këtë kompani edhe në bregdetin e Jugut, duke përhapur mungesën e vizionit të tij dhe masakrën urbane të Tiranës edhe më tutje”, tha Bogdani, duke shtuar se tani që studimi i bregdetit të jugut të Shqipërisë nuk e lejon Ramën të betonizojë jugun e Shqipërisë në Jalë dhe Ksamil, me planin mediokër të Artan Lames në 2005-ës, ai xhindoset dhe thellon keqpërdorimin e medieve.
Partia Demokratike dënon këto veprime dhe thekson se këto përbëjnë shembujt më flagrantë të keqpërdorimit të pushtetit të Bashkisë së Tiranës për interesa të ngushta personale, që në fund të ditës përkthehen dhe me cënimin e demokracisë në Shqipëri, duke kontrolluar dhe censuruar mediat e lira.