Rama i numëroi votat në stilin alla “Arturo Ui”

Reagimi i LSI-së
TIRANE - Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka numëruar votat në mbledhjen e Këshillit si një “Arturo Ui”duke shfaqur kështu tendenca të qarta të vendosjes së një diktature në njësinë më të madhe vendore në Shqipëri.
Në këtë mënyrë i ka intepretuar ngjarjen e së martës në mbrëmje gjatë një mbledhjeje maratonë dhe plot tension të Këshillit Bashkiak ku sërish projektbuxheti nuk u arrit që të votohej, Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili.
Mes të tjerash zyrtari i LSI-së nuk nguroi që ta akuzojë kryebashkiakun Rama për blerje të votave të këshilltarëve.
“Qytetarët e Tiranës u përballën dhe me një fakt tjetër shumë të rëndë, sepse panë një Kryetar Bashkie-Kryetar Partie njëherazi, i cili dikur përjashtonte deputetët e tij para ca kohësh, sepse transferonin votat për të zgjedhur Presidentin e Republikës, mbrëmë ai nëpërmjet një tentative manipulative synoi të përdorte të njëjtin skenar, pra të blinte votat te e djathta për të kaluar buxhetin e tij abuziv dhe korruptiv. Për ironi të fatit, edhe mënyra se si u tentua të konsumohej ky manipulim, nëpërmjet votimit të drejtpërdrejtë të këtij kryetari që bënte njëkohësisht dhe sekretarin dhe numëruesin e votave, për ata që kanë memorie dhe kanë kujtuar sadopak teatrin Kombëtar Shqiptar, është i njohur ky lloj numërimi që Rama kreu në stilin alla Arturo Ui, kur votohej për trustin e lulelakrës e kur të gjithë votonin në presion dhe me imponimin e dhunës dhe të korrupsionit klientelist”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i LSI.
Sipas tij Këshilli bashkiak ka procedurën e tij të votimit, sekretarinë e cila numëron votimin dhe shpall votat dhe se “kjo diktaturë që Edi Rama kërkon të stabilizojë është për të, por nuk është për ligjin”.