E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëri-SHBA, garantohet bashkëpunimi edhe gjatë administratës së Obamës”

Senatorë dhe kongresmenë amerikanë shprehin kënaqësinë për zhvillimet në Shqipëri.
Kryeministri merr pjesë në një darkë me anëtarë të rëndësishëm të Senatit, ndërkohë që sot do të jetë në ceremoninë e “Mëngjesit të 57-të Kombëtar të Lutjeve

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha do të marrë pjesë sot në Mëngjesin e 57-të Kombëtar të Lutjeve, pasi ai ka marrë pjesë prej hapjes së Shqipërisë dhe ndryshimeve të mëdha që ndodhën atje me ftesë të Komitetit Kongresional, që përbëhet nga 36 senatorë dhe anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA dhe nga anëtarët e Kongresit Vernon J. Ehlers dhe Heath Shuler. Kryeministri Berisha, vjen në këtë vizitë së bashku bashkëshorten, zonjën Liri Berisha, për të marrë pjesë në Mëngjesin e 57-të Kombëtar të Lutjeve .
Kjo ceremoni mbahet orët e para të mëngjesit të sotëm në Washington D.C, në njërin prej hoteleve më të mëdha të Uashingtonit fillon me një lutje fetare e cila drejtohet nga një prift protestantë. Në këtë mëngjes kombëtar lutjesh marrin pjesë kongresmenë, senatorë, drejtues të Kongresit dhe administratës së Presidentit Barack Obama, si dhe liderë dhe të ftuar nga 160 vende të botës.
Pjesëmarrësit në këtë ceremoni i luten Zotit për të forcuar marrëdhëniet dhe për të çuar më tej frymën e bashkëpunimit dhe shpirtit të miqësisë.

Darka me senatorë e kongresmenë
Me ftesë të organizatorëve, Senatorit Tom Coburn dhe Kongresmenit Heath Shuler, kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga kryetari i Partisë Republikane, deputeti Fatmir Mediu, mori pjesë në darkën e zgjeruar me senatorë dhe kongresmenë amerikanë, mes të cilëve ish kandidati presidencial senatori Sam Brownback nga Kansas, senatorët John Thune nga Dakota e Jugut, Jim DeMint nga Karolina e Jugut, John Ensign nga Nevada, etj, dhe kongresmenët Mike Doyle, Trent Franks, Zach Wamp, Robert Aderholt, etj..
Gjatë kësaj darke një vend të veçantë iu kushtua Shqipërisë dhe reformave qeveritare.
Në bashkëbisedimin e tij me senatorë dhe kongresmenë, kryeministri bëri një ekspoze të arritjeve të qeverisë së tij në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, reformave ekonomike, modernizimit të sistemit të shërbimeve, investimeve, etj.
Berisha tha se ishin pikërisht sukseset e këtyre reformave, të cilat garantuan përshpejtimin e procesit të integrimit në NATO dhe në BE.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë i njohu bashkëbiseduesit edhe me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke garantuar dhe deklaruar vullnetin e plotë të qeverisë që këto zgjedhje të jenë të lira e të ndershme. “Jo vetëm konsensusi politik ndërmjet mazhorancës dhe opozitës për hartimin e një kuadri ligjor modern, por, mbi të gjitha, edhe përpjekjet e shumta të qeverisë për sigurimin e infrastrukturës zgjedhore si kartat e identitetit, regjistri elektronik i shtetasve etj, janë një bazë e sigurt për standardet e këtyre zgjedhjeve”, u shpreh Berisha.
Ndërsa nga ana e tyre, senatorët dhe kongresmenët amerikanë vlerësuan punën dhe reformat e qeverisë Berisha, si dhe besimin për suksese të mëtejshme. Ata garantuan për një bashkëpunim të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare, si dhe domosdoshmërinë e thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Takimi me Eliot Engel
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me kongresmenin amerikan, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve nga shteti i New York, Eliot Engel, një nga mbrojtësit më të shquar të Shqipërisë dhe çështjes shqiptare.
Në fillim të takimit, kryeministri e njohu kongresmenin Engel me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, duke u ndalur tek arritjet e reformave qeveritare si dhe çështjet e anëtarësimit në NATO dhe BE.  Z. Berisha, ndër të tjera, theksoi sukseset në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si një nga hapat që garantuan përshpejtimin e proceseve integruese dhe që e nxorën Shqipërinë nga harta e nxirë e këtyre fenomeneve. Berisha u ndal gjithashtu edhe në reformimin e thellë që pësoi administrata shqiptare në aspektin e elektronizimit të prokurimeve publike, regjistrimit elektronik të subjekteve tregtare, etj.
Duke u ndalur tek zgjedhjet parlamentare, kreu i qeverisë Berisha bëri një ekspoze të gjerë të procesit konsensual të miratimit të kuadrit ligjor për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, si dhe në veçanti në përpjekjet e qeverisë shqiptare për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme. Ai e njohu kongresmenin Engel me hapat e bërë për sigurimin e një regjistri elektronik të popullsisë, shtypjen e kartave të reja të identitetit e pasaportave biometrike, etj., elementë që garantojnë votime të ndershme.
Nga ana e tij, kongresmeni Eliot Engel vlerësoi shumë arritjet e qeverisë Berisha në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, modernizimit të administratës dhe veçanërisht rezultatet e këtyre reformave, si bazë për integrimin në NATO dhe BE. Ai falënderoi gjithashtu kryeministrin Sali Berisha për partneritetin e shkëlqyer me SHBA-të në luftën kundër terrorizmit. Në përfundim, kongresmeni Engel e garantoi kryeministrin Berisha për vazhdimësinë e bashkëpunimit të administratës së re Obama me Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›