Votimi i së martës i pavlefshëm, mbledhjen e radhës do ketë votim nominal

Kryetari i Këshillit Bashkiak Sokol Dervishaj akuzon Kryebashkiakun Edi Rama për shkeljen e procedurave të votimit
TIRANE - Numërimi me zë të lartë që kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama, i bëri votave të këshilltarëve bashkiake në votimin e dy ditëve më parë, përbën një shkelje të hapur të procedurave që zhvlerësojnë të gjithë votimin e djeshëm, për projektbuxhetin. Kjo është deklaruar dje në mesditë nga kryetari i këtij këshilli, Sokol Dervishaj që veç të tjerash theksoi se nisur nga kaosi që u krijuar jo të gjithë këshilltarët mundën që të ushtrojnë të drejtën e tyre legjitime të votimit. “Votimi i djeshëm (i së martës), e përsëris edhe njëherë, bëhet nul. Ka ndodhur një anomali e pazakontë në mbledhjet e Këshillit, sepse nuk janë respektuar procedurat dhe rregullorja e këshillit. Neni 19 i rregullores përcakton detyrat e sekretarisë të këshillit bashkiak. Pika 2 sqaron se sekretaria ka këto detyra: të njoftoje kryetarin për pjesëmarrjen e këshilltareve në mbledhje, numëron votat e këshilltareve që marrin pjesë në votim të hapur dhe njofton kryetarin për rezultatin e tij. Praktikisht kjo procedurë nuk është zbatuar sepse kryetari i bashkisë mori përsipër dhe detyrën e sekretarisë së këshillit, ndërkohë që në sallë u shkaktua një kaos dhe votimi nuk përfundoi”, u shpreh Dervishaj. Në këtë kuadër Kryetari i Këshillit Bashkiak, ka kërkuar negociim mes palëve për gjetjen e një zgjidhjeje emergjente, në një kohë që theksoi se do të kërkojë votim nominal në mbledhjen e radhës. “Palët të ulen në dialog, të gjejnë zgjidhjet më të mira të mundshme, të reflektohet për aq sa është e nevojshme dhe e domosdoshme dhe sa më parë të vijnë përsëri në këtë sallë dhe me një kulturë të ndryshme komunikimi”, deklaroi Dervishaj.