E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhje për shqyrtimin e kandidaturave

21/01/2009  Partia Demokratike do të mbledhë kryesinë për zgjedhjet e brendshme

Gjithë procesi i riorganizimit të PD-së duhet të përfundojë në muajin mars

Krerët më të lartë të Partisë Demokratike pritet të mblidhen për të shqyrtuar kandidaturat për krerët e rinj të të gjitha degëve të kësaj force politike. Burimet kanë bërë të ditur se ende nuk është caktuar një datë ekzakte se kur do të zhvillohet kjo mbledhje, por parashikohet që në ditët e fundit të këtij muaji apo në ditët e para të muajit të ardhshëm kryesia e PD-së do të zhvillojë mbledhjen e saj. Kjo mbledhje e kupolës së demokratëve zhvillohet në një moment shumë të rëndësishëm organizativ të vetë PD-së. Burimet thonë se kryesia e Partisë Demokratike mund të mblidhet dy herë. Në mbledhjen e parë pritet të dorëzohen kandidaturat për krerët e degëve të partisë në të gjithë vendin. Ndërkohë në mbledhjen e dytë do të zhvillohet procesi i shqyrtimit të kandidaturave, sa në përputhje me statutin janë ato, sa të besueshme janë nga vetë demokratët e thjeshtë. Pas këtij procesi do të vijojë ai vendimmarrës, duke caktuar se cilët do të jenë emrat që do të shkojnë për votim në kuvendin e degës. Statuti i PD-së sanksionon se emrat e propozuar nga seksionet dhe grup-seksionet i përcillen kryesisë qendrore, e cila duhet të japë miratimin për kandidatët e propozuar. Po sipas statutit kandidatët e miratuar nga kryesia do t’i drejtohen kuvendit të degës, ku do të zhvillohet votimi final për krerët e rinj të degëve.

Riorganizimi i PD-së vlerësohet tejet i rëndësishëm, duke marrë parasysh se vetëm pak muaj më pas shqiptarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur mazhorancën e re dhe njerëzit që do të drejtojnë vendim për katër vitet e ardhshme. Ky proces, në bazë të afateve kohore të përcaktuara në statutin e partisë duhet të përfundojë në muajin mars të këtij viti. Gjithë procesi kaloi nëpër faza të ndryshme, ku fillimisht u ngritën grupe pune për secilin qark të vendit, me të deleguar nga qendra. Në këtë proces riorganizimi në PD, vëmendja është përqendruar më së shumti në kryeqytet. Për kreun e ri të degës së kësaj force politike në Tiranë mësohet se janë deri më tani mbi 30 kandidatë. Rëndësia që ka dega e Tiranës vjen prej faktit se kryeqyteti ka numrin më të madh të popullsisë së vendit në raport me rrethet apo qarqet e tjera.

Përfundimi i procesit

Procesi i riorganizimit të të gjithë strukturave të Partisë Demokratike ka nisur prej shumë muajsh. Kryesia ngriti grupet e punës, të cilat kishin detyrën të punonin për përgatitjen, organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për drejtuesit e rinj të degëve. Ishin 12 grupe punë, të cilat u përkasin 12 qarqeve të vendit. Në fund të janarit pritet që të shpallen nga kryesia kandidaturat përfundimtare ndërkohë që në fillim të marsit gjithçka duhet të ketë marrë fund. Ky procesi riorganizimi vlerësohet maksimalisht duke pasur parasysh se zhvillohet shumë afër zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Kandidaturat për Tiranën

Për drejtimin e degës së PD-së së Tiranës mësohet se janë mbi 30 kandidatura, të propozuara nga strukturat e bazës së partisë. Ndër emrat më të spikatur janë ato të Lajla Përnaskës, Edi Palokës, Aldo Bumçit, Gjergj Bojaxhiut, Bujar Nishani, Majlinda Bregu, Besnik Mustafajt etj. Gjithashtu si kandidatë janë propozuar nga seksionet edhe tre emra nga Forumi i Gruas së PD-së. Një rëndësi të veçantë i jep degës së Tiranës fakti se në zgjedhjet parlamentare, në bazë të sistemit të ri zgjedhor, proporcional rajonal, do të mund të dalin 33 deputetë.

Mbledhja e fundit e kryesisë

Kryesia e PD-së është mbledhur për herë të fundit në fillim të muajit tetori të vitit të kaluar. Në atë mbledhje të kupolës blu janë vendosur ndryshime organizative në parti, duke lëshuar një udhëzim sipas të cilit shkrirja e nëndegëve do të pasohet me formimin një degë e vetme në një rreth dhe në çdo qark do të ketë një komitet drejtues. Ky organ do të drejtohet nga një anëtar i kryesisë ose nga një i deleguar i qendrës. Sipas udhëzimit zyrtari i lartë që do të drejtojë komitetin drejtues të qarkut, do të drejtojë edhe fushatën elektorale që do të zhvillohet për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, në këtë qark.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›