KESH mbledh komisionin për portat
Nertila Maho
Komani dhe Vau i Dejës do të vazhdojnë të shkarkojnë nga portat e shkarkimit ndërsa Fierza jo. Vendimin e ka marrë dje Komisioni i Posaçëm i mbledhur në mesditë për situatën aktuale në kaskadën e Drinit. Dy ditë më parë KESH njoftoi për hapjen e portave shkarkuese në hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës si rezultat i prurjeve të larta dhe të menjëhershme me burim kryesor shkarkimet nga Ohri. Drejtori i KESH Muharrem Stojku ka informuar dje se situata është nën kontroll dhe aktualisht nuk ka vend për panik. Sipas Stojkut moti me shi,por edhe hapja e portave të Drinit të Zi nga Maqedonia për të shkarkuar Ohrin kanë bërë që niveli në liqenet e kaskadës së Drinit të rritet në mënyrë të menjëhershme. “Në datë 18 shkurt është mbledhur Komisioni i Posaçëm për shkarkimin e plotave i cili ka diskutuar mbi situatën e krijuar dhe pas kësaj kemi vendosur që të shkarkojmë në dy hidrocentralet e kasakdës me përjashtim të Fierzës” u shpreh Stojku. Në më pak se një javë liqeni i hidrocentralit të Fierzës është rritur me një nivel rreth 4 metra nga të cilat një metër është rritur brenda 24 orëve. Niveli ditën e shtunë ka qenë në kuotat e 290.2 metrave kurse dje ky nivel ka shkuar në 290.8. Pavarësisht kësaj KESH ka theksuar dje se nuk ka vend për t’u shqetësuar dhe se në vend po shfrytëzohet kjo situatë për të prodhuar maksimalisht energji dhe për të ruajtur kuotat 26 milion kwh në ditë. Duke ju referuar situatës në kasakdën e Drinit Stojku ka dhënë dje edhe nivelet për secilin liqen së bashku me shkarkimet dhe prurjet. Kështu Fierza ka shënuar prurje deri në 1200 m3/s, Komani ka pasur prurje në nivelin 480 m3/s dhe shkarkime 350 m3/s. Për Vaun e Dejës çështja e shkarkimeve është lënë e hapur duke synuar që nga 500 m3/s që shkarkohej,të shkojë deri në 700 m3/s nëse do të jetë e nevojshme, prurjet në këtë liqen kanë qenë në 200 m3/s. Porsa i përket niveleve të dy liqeneve të tjera të kaskasës së Drinit Komani dhe Vau i Dejës dje kanë shënuar përkatësisht 172.32 metra dhe 75.14 metra. Mbledhja më e fundit e Komisionit të Posaçëm ka qenë ditën e djeshme në mesditë lidhur me situatën në Fierzë. Edhe pas këtij takimi nga ana e këtij komisioni është parë e arsyeshme që për momentin nga Fierza të mos bëhen shkarkime të tjera përveçse nga puna e turbinave. Sipas Stojkut aktualisht nuk është e nevojshme që të bëhen shkarkime nga liqeni i parë i kaskadës sepse po krijohet hapësirë në dy liqenet e poshtëm për t’i paraprirë çdo situate. Një nga faktorët kryesorë për këtë nivel të madh prurjesh është hapja e portave të Drinit të Zi nga ana e Maqedonisë. Kjo situatë tashmë prej tre ditësh ka rritur ndjeshëm nivelin e liqeneve. Kreu i KESH thekson se pala maqedonase nuk do të mbyllë portat e Drinit deri në momentin që nuk është arritur kuota normale sezonale për këtë liqen. Maqedonia ka mbi Fierzë dy hidrocentrale të sajat që janë diga betoni përkatësisht Gllobicicën dhe Spilenë dhe për të ruajtur sigurinë e këtyre të fundit nga mediat maqedonase thuhet se shkarkimet fillimisht kanë qenë të limituara. Gjithsesi moti i paqëndrueshëm i këtyre ditëve e ka bërë situatën të paparashikueshme. Nga ana e KESH thuhet se aktualisht shkarkimet në dy hidrocentralet poshtë Fierzës janë të mjaftueshme për të siguruar një situatë normale,por nëse në vazhdim Komisioni i Posaçëm monitorues do ta shohë të nevojshme do të veprojë në bazë të rregullores duke shkarkuar dhe nga Fierza. KESH rihapi portat në Vaun e Dejës pas rreth një muaji që nga 15 janari kur situata e shpallur emergjente pas përmbytjeve në Shkodër e Lezhë u vu nën kontroll.
Situata dje (ora 19:00)
Fierza
Prurjet 1200 m3/s
Niveli i liqenit 291.08 metra
Niveli maksimal 296 metra
Derdhjet porta - m3/s
Derdhjet turbina 470 m3/s
Turbinat në punë 4
Komani
Prurjet 480 m3/s
Niveli i liqenit 172.32 metra
Niveli maksimal 175 metra
Derdhje porta 350 m3/s
Derdhje turbina 650 m3/s
Turbina në punë 4
Vau i Dejës
Prurjet 200 m3/s (anësore)
Niveli i liqenit 75.14 metra
Niveli maksimal 76 metra
Derdhjet porta 700 m3/s
Derdhjet turbina 500 m3/s
Turbina në punë 5
Prodhimi 26 milion kwh
Eksporti 10 milion kwh