Stuhi tmerri, 40 të vdekur e dhjetëra të zhdukur
Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut nga stuhitë e forta dhe shirat e mëdha në Madeira kanë shkaktuar 40 të vdekur dhe më shumë se 100 të zhdukur. Reshjet kanë shkaktuar rrëshqitje dheu dhe shkëmbinjsh dhe kanë përmbytur qendrën rajonale, Funchal. Lisbona ka dërguar avionë me ndihma dhe anije me helikopterë në misione kërkimi dhe shpëtimi, si dhe për të shpërndarë ndihmat shumë të nevojshme në këtë ujdhesë që ndodhet në Oqeanin Atlantik. Edhe ekipe të tjera shpëtimi po dërgohen në ishullin portugez të Madeirës. Rrugët janë bllokuar, urat dhe shtëpitë janë shkatërruar, si dhe rrjeti elektrik dhe ai i telefonisë nuk funksionojnë. Banorët dhe pushuesit kanë mbetur pa ushqime dhe ujë. Kjo ishte stuhia më e fuqishme që kishte përjetuar ishulli që prej dy dekadash. Ushtria ka formuar njësite për të pastruar rrënojat e shkatërrimit dhe për të kërkuar personat fati i të cilëve nuk dihet. Por përpjekjet po pengohen nga moti i keq që po vazhdon. Autoritetet kanë këshilluar banorët që të mos dalin nga shtëpitë.