Mblidhen krerët e dhomave të tregtisë
Kriza mbledh në Beograd të Serbisë krerët e dhomave të Tregtisë së rajonit të Mesdheut. Shqipëria është përfaqësuar nga kryetari i dhomës së Tiranës, Nikolin Jaka, i cili mori pjesë në Mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Mesdheut, ASCAME, që u zhvillua në datat 24-25 shkurt 2010. Mbledhja mori në shqyrtim një sërë çështjesh që lidhen me bashkëpunimin ekonomik e tregtar të komuniteteve të biznesit të rajonit, çështjet që lidhen me fushën e turizmit, investimeve, energjisë, logjistikës, transportit, arbitrazhit etj. Në mbledhje foli dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, i cili bëri një paraqitje të gjendjes ekonomike në Shqipëri përballë krizës ekonomike e financiare që ka përfshirë këtë rajon, fakt që u theksua dhe nga pjesëmarrësit. Jaka kërkoi funksionimin sa më shpejt të një rrjeti informacioni ndërmjet të gjithë dhomave, ku krahas të dhënave të fundit, çdo institucion pjesëmarrës duhet të informojë për sektorët që janë përfshirë nga kjo situatë në vendin e tij, masat që po merren, bashkëpunimin e qeverisë me përfaqësuesit e biznesit për kapërcimin e tyre etj. Këto mesazhe Jaka kërkoi t’u transmetohen dhomave homologe të rajonit, që të shërbejnë si eksperienca për vendet e tjera dhe të bëjnë Dhomat e Tregtisë aktore të rëndësishme në kapërcimin e kësaj situate globale. ASCAME është Shoqata e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Mesdheut, e themeluar më 1 tetor 1982.
#