E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhet Këshilli Kombëtar i Arsimit dhe Formimit Profesional

Premtimi

Përgatiten ndryshimet ligjore për punësimin e nxënësve të profesionaleve
Problemet dhe vështirësitë që hasin nxënësit e shkollave profesionale pas përfundimit të studimeve në tregun e punës kanë qenë në qendër të vëmendjes së mbledhjes së djeshme të Këshillit Kombëtar të Arsimit dhe Formimit Profesional. Ky këshill kryesohet nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, dhe ministri i Punës dhe çështjeve Sociale, Spiro Ksera.
Kreu i Arsimit pasi citoi axhendën e këtij takimi mbi ndryshimet në ligjin e arsimit profesional, vlerësoi se këto ndryshime shumë të rëndësishme janë mekanizma që do të mundësojnë rritjen e fleksibilitetit në këndvështrimin financiar të shkollave të autonomisë, të shkollave profesionale dhe qendrave të formimit profesional. “Ndërkaq, tha Tafaj, ka edhe disa ndryshime që do të diskutohen me grupet e interesit, që kanë të bëjnë me nxitjen e vetëpunësimit të të rinjve që përfundojnë shkollat profesionale ose kurset e formimit profesional. Ligji i ri do të ketë ndryshime që synojnë të rrisin rolin e këshillit, të rregullojnë raportet mes këshillit dhe Agjencisë së Formimit Profesional dhe të rregullojnë edhe raportet e marrëdhëniet me partnerët socialë e me pushtetin vendor”. Tafaj cilësoi se të dy titullarët e ministrive janë të interesuar dhe do të bëjnë përpjekje për ta rritur dhe intensifikuar veprimtarinë e këtij këshilli dhe frymën e ndryshimeve që i bëhen këtij ligji në implementimin e tij.
Nga ana e tij, ministri i Punës dhe çështjeve Sociale, Spiro Ksera, vlerësoi se formimi profesional është një hallkë shumë e rëndësishme për krijimin e vendeve të punës dhe programet e nxitjes së punësimit. “Takimi për të diskutuar për formimin profesional, për ndryshimin e legjislacionit dhe për të gjitha kërkesat që kanë ardhur nga partnerët socialë, nga donatorët, por edhe nga vështirësitë e hasura më parë, është shumë i rëndësishëm, që ne të arrijmë që në këto takime të krijojmë dinamikën e munguar për këshillin”, tha ministri Ksera. Më pas në takim u diskutua në nivel ekspertësh mbi mekanizmat financiarë nxitës për punësimin e nxënësve që përfundojnë shkollat profesionale. Këshilli Kombëtar i Arsimit dhe Formimit Profesional është një organ kolegjial pranë ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe ministrit të Punës dhe çështjeve Sociale. Ai i sugjeron Këshillit të Ministrave, politika për zhvillimin e sistemit të arsimit dhe formimit profesional.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›