E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërron jetë Leka I, e shtuna ditë zije kombëtare

01-12-2011 / Gazeta 55

Trashëgimtari i fronit mbretëror të Shqipërisë ndodhej në një gjendje të rënduar shëndetësore dhe ndërroi jetë dje në mëngjes në moshën 72 vjeçare. Ngushëllimet kanë mbërritur nga të gjitha trojet shqiptare, ndërkohë që PS-ja ishte e vetmja forcë e madhe politike që heshti. Qeveria ka ngritur një komision të posaçëm për ceremoninë e varrimit, ku bëjnë pjesë 3 ministra, një përfaqësues i Oborrit Mbretëror, një përfaqësues i Kuvendit si dhe një përfaqësues i Protokollit të Shtetit Dje ndërroi jetë në Tiranë, në moshën 72 vjeçare, pretendenti i fronit mbretëror të Shqipërisë, Leka Zogu I. Leka Zogu ndodhej i shtruar në spital për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore.   Sipas një deklarate për mediat, të Oborrit Mbretëror, mësohet se, “më datë 30 nëntor 2011 në ora 08.45 të mëngjesit, në repartin e terapisë intensive të klinikës së neurokirurgjisë, ka pushuar zemra e NaltMadhnisë Tij Mbretit Leka I”. Nëpërmjet deklaratës për media, të shpërndarë nga Oborri Mbretëror, falënderohet qeveria shqiptare, si edhe personeli mjekësor, për kujdesin dhe angazhimin e treguar. “Familja Mbretërore Shqiptare falënderon drejtorin e spitalit, Saimir Ivziku, gjithë ekipin mjekësor nën drejtimin e Prof. Mentor Petrela dhe Dr. Kliti Pilika, Ministrin e Shëndetësisë dhe Qeverinë Shqiptare për kujdesin dhe angazhimin e plotë që kanë treguar. Familja Mbretërore Shqiptare ngushëllon popullin dhe kombin shqiptar për humbjen e Sovranit tonë legjitim”, vijon më tej deklarata për mediat e Oborrit Mbretëror. Pretendenti i fronit Leka Zogu I ishte shtruar në QSUT “Nënë Tereza” në Tiranë në datën 15 nëntor 2011 për t’u mjekuar për vuajtje multisistemike ku mbizotëronin vuajtja e zemrës dhe e mushkërive. Pas një përmirësimi disaditorë, gjendja shëndetësore e Leka Zogu I u përkeqësua ditët e fundit. Të premten më 25 nëntor, pretendenti i fronit pësoi një arrest kardiak dhe për pasojë u intubua deri në rikthimin e punës së zemrës, mirëpo funksioni i mushkërive ishte i pamjaftueshëm për të mbajtur funksionet jetësore. Pretendenti i fronit mbretëror të Shqipërisë, Leka Zogu I, djali i vetëm i Mbretit Ahmet Zogu, lindi më 5 prill 1939 në Tiranë, dy ditë para pushtimit të vendit nga Italia fashiste.      Pretendenti i Fronit bëri një përpjekje të parë për të ringjallur dhe ushqyer idenë e monarkisë në fillim të viteve ’90. Pas një jete të gjatë në mërgim, i larguar nga vendi që kur kishte vetëm dy ditë jetë, në prill të 1939, ai shkeli për herë të parë në Tiranë në nëntor të 1993, me një vizitë të papritur kur u ul në aeroportin e Rinasit me një avion privat. Leka Zogu I u rikthye përfundimisht, së bashku me familjen për të jetuar në Shqipëri në qershor të vitit 2002. Prej kohësh, për shkak të shëndetit të përkeqësuar, Leka Zogu i Parë ishte tërhequr thuajse plotësisht nga jeta aktive politike dhe shoqërore. Në vend të tij funksionet publike kryhen nga i biri, Princ Leka.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›