E Diel, 1 Nëntor 2026

Mblidhet Komiteti Ndërministror për Integrimin: Qeveria do të mbajë premtimin, heqja e vizave pranverën e ardhshme

Qeveria shqiptare miratoi dje Raportin për çështjet e liberalizimit të vizave, i cili pritet ti dorëzohet KE-së, për t’u vlerësuar ndërkohë që në tetor mbërrin në Shqipëri një tjetër ekip i tyre për të parë të gjithë problematikën. Nga ky raport, do të nxirret raporti përfundimtar mbi çështjet që mbeten për t’u plotësuar nga Udhërrëfyesi që përmban kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria për liberalizimin e vizave.

Një nga kushtet e lëvizjes së lirë, janë dokumentet e reja të identitetit, kryesisht pasaportat biometrike, të cilat realisht po prodhohen me cilësi më të lartë dhe është shtuar në mënyrë të ndjeshme numri i qytetarëve që marrin pasaportat biometrike.

Nisur nga kjo çështje, kryeministri i vendit Sali Berisha, deklaroi gjatë mbledhjes së komitetit ndërministror se problemi i heqjes së vizave është një problem kryesor për qytetarët shqiptarë dhe se qeveria do të mbajë premtimin e saj, për lëvizjen e lirë brenda pranverës së vitit të ardhshëm.

“Problemi i heqjes së vizave është një problem kryesor për qytetarët shqiptarë. Ky është një proces, të cilin ata, si banorët më të lashtë të kontinentit, duhet ta fitojnë sa më shpejtë të jetë e mundur. Predispozita është reale nga Komisioni Evropian dhe vendet anëtare. Kërkesat që shtrohen janë të drejta, të arsyeshme dhe ne na takon ti plotësojmë ato me seriozitetin më të madh. Problemi i heqjes së vizave, ka të bëjë me sigurinë dhe garancitë që ti i jep vendeve anëtare të Bashkimit Evropian; se ti nuk eksporton krim, por siguri; se me lëvizjen e lirë të qytetarëve të tu nuk cenon sigurinë e qytetarëve të këtyre vendeve; se ti je një vend që kontrollon me vendosmërinë më të madhe krimin dhe kriminalitetin, si dhe respekton standardet e parashikuara për lëvizjen e lirë”, tha Kryeministri.

Berisha theksoi se në Shqipëria kanë ardhur komisione shumë serioze nga Komisioni Evropian, kanë punuar së bashku me agjencitë tona dhe kanë shqyrtuar të gjitha kriteret një e nga një dhe kanë bërë një vlerësim pozitiv në tërësi.

“Por, tha kryeministri, kanë lënë edhe detyra, të cilave ne, me shpejtësinë dhe me seriozitetin më të madh, duhet t’u japim përgjigjen e merituar. Ata sërish mund të vijnë, por objektivi ynë, sikurse dhe e kemi deklaruar, është liberalizimi i vizave në vitin e parë të mandatit tonë të dytë. Tashmë mandati ynë i dytë u bë realitet dhe ne duhet të bëjmë realitet premtimin tonë, që gjatë vitit të parë të këtij mandatit ne duhet të garantojmë këtë proces jashtëzakonisht të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë. Ky proces është i rëndësishëm në të gjitha aspektet; i rëndësishëm në planin moral, sepse njeriu i lirë lëviz lirshëm; është i rëndësishëm në planin financiar, sepse tregu më i rëndësishëm, pas tregut të bukës, është tregu i vizave dhe qytetarëve shqiptarë u ikën një e madhe nga ky treg; i rëndësishëm në planin e shkollimit; i rëndësishëm në planin familjar, sepse asnjë komb tjetër nuk ka ndarje më të madhe se sa ne, pasi ne kemi përqindjen më të lartë të emigracionit të ri. Nuk gjej ndonjë komb tjetër në Evropë të ketë rreth 25 për qind të popullsisë emigrant, siç i kemi ne. Janë prindër të ndarë nga fëmijët dhe janë familjarë të ndarë nga familjet e tyre. Pra, është një problematikë e thellë sociale dhe njerëzore, e cila merr përgjigjen më të mirë me heqjen e vizave. Por, kjo është edhe një tjetër mundësi shumë e madhe për shkollimin dhe punësimin mbi bazën e normave të caktuara”, u shpreh kryeministri Berisha.

Sipas tij, përfitimi më i madh në procesin e integrimit është liberalizimi i vizave, ndërsa të tjerat janë për t’u ndërtuar dhe do të ndërtohen, sepse sikurse theksoi kryeministri, ai është një projekt i madh dhe ne do të punojmë me përkushtim të jashtëzakonshëm për ndërtimin e Shqipërisë evropiane.

“Duhet të jemi realist se ky proces kërkon punë të madhe dhe reforma të thella, të cilat ne po i bëjmë. Nuk ka shqiptar që nuk e di se integrimi i plotë nuk do të thotë pasurim i shpejtë. Bullgarët dhe rumunët janë me rroga mesatare nën rrogat e shqiptarëve. Ne duhet të jemi të përgatitur, sepse kjo është një garë e fortë dhe në këtë garë ne duhet të bëjmë përpjekjet për të arritur sa më shumë vendet e Bashkimit Evropian. Ne e kemi fiksuar që do të kalojmë gjashtë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe do ti parakalojmë në shumë aspekte. Lëvizja e lirë është arritja më e madhe, për qytetarët shqiptarë në procesin e integrimit evropian”, vlerësoi kreu i qeverisë Sali Berisha.

Për realizimin më se miri të procesit të liberalizimit të vizave, kryeministri kërkoi një paraqitje sa më të mirë të punës së agjencive të tilla siç është ajo e luftës kundër pastrimit të parave apo dhe Inspektoriatit të Lartë të Kontrollit dhe deklarimit të pasurive. Gjithashtu, kryeministri iu referua edhe një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2007, që kufizon, sikurse tha ai, konfiskimin e pasurive të vendosura nëpërmjet veprimtarive kriminale, të cilin e konsideroi të papranueshëm dhe kërkoi bërjen e një ligji të ri sipas modelit britanik.

“Ky vendim i Gjykatës së Lartë të vitit 2007, kufizon mundësinë e rrënimit të bosëve të krimit. Atyre po nuk ua rrënove ekonominë, pushteti u mbahet. Ndaj, ne duhet të marrim ligjin e fundit që ka votuar Parlamenti britanik. Edhe ligji që ne adaptuam është ligj shumë i mirë. Ne e kemi gjetur të adaptuar atë, por ne nuk mund të kufizohemi në shembjen e perandorisë ekonomike të krimit, fuqisë ekonomike të krimit të organizuar. Sigurisht, që brenda standardeve, por standardet i ka përcaktuar, sepse ajo që mund të bëhet në Itali dhe në Britaninë e Madhe nuk ka pse mos të bëhet në Shqipëri. Ai ligj të sillet sa më shpejt në qeveri dhe Komisioni Evropian kërkon përgjigje ligjore ndaj këtij vendimi. Kërkohet përgjigje ligjore, sepse kjo është një pengesë”, u shpreh kryeministri, duke siguruar se qeveria mbetet denjësisht e angazhuar për të përmbushur të gjitha detyrimet e saj, për liberalizmin e vizave Shqipëri-BE.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›