E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistemi i Prokurimeve publike, sipas standardeve evropiane

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, Agjencia e Prokurimeve Publike, nuk do të ketë më në kompetencë shqyrtimin e ankesave. Sipas kryeministrit Berisha, për këtë do të ngrihet një grup i veçantë, një lloj komisioni tjetër

Pas hyrjes në fuqi të ligjit “Për prokurimin Publik”, Agjencia e prokurimeve Publike, e cila është autoriteti që shpall, organizon dhe mbikëqyr tender bërjen në shkallë kombëtare, nuk do të merret më me shqyrtimin e ankesave. Në mbledhjen e radhës të qeverisë, kryeministri Sali Berisha informoi se për këtë qëllim do të ngrihet një komision tjetër, i cili do të ketë të drejtën e shqyrtimit të ankesave.

 Sipas kryeministrit, me këto ndryshime sistemi i prokurimeve plotësohet në mënyrë të ndjeshme.

“Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Agjencia e Prokurimeve Publike, e cila është si të thuash autoritet që shpall, organizon, mbikëqyr tender bërjen në shkallë kombëtare, nuk do të jetë më agjencia e apelit. Do të ngrihet një grup i veçantë, një lloj komisioni tjetër, i cili do të merret vetëm me shqyrtimin e ankesave. Kjo është një kërkesë edhe e raportit të vitit kaluar të KE-së, por edhe në parim, nuk mund të jetë Agjencia e Prokurimeve Publike ajo që do të bëjë edhe gjykatësin. Në këtë rast do të jetë një komision i veçantë, një lloj senati, i cili do të ketë të drejtën e shqyrtimit të ankesave dhe të verdiktit ndaj ankesave përfundimtare, në krahun administrativ, sepse krahas saj, sipërmarrësit kanë të drejtë ti drejtohen gjykatës, kjo e drejtë nuk i është hequr në asnjë rast atyre. Mendoj se me këtë plotësim sistemi i prokurimeve plotësohet në mënyrë të ndjeshme”, u shpreh Berisha.

Duke vlerësuar sistemin tërësisht elektronik të tenderimit, kryeministri u shpreh se ky sistem ka shumëfishuar pjesëmarrjen e firmave në tender, duke iu afruar në këtë aspekt standardeve evropiane.

“Sistemi vazhdon tërësisht elektronik. Rëndësi shumë të madhe ka që të hedhim bazat që të gjitha blerjet dhe shitjet në ankand të bëhen të formës elektronike. Blerjet të bëhen me internet, sepse janë më të ndershme , më të pastra, kemi mundësi të kursejmë  dhe të ketë një pjesëmarrje shumë më të gjerë, duke u zgjeruar shanset. Në rast se ju ndaleni dhe shikoni pjesëmarrjen në tendera nga janari e këtej është shumëfishuar dhe po i afrohet standardit evropian si pjesëmarrje. Kurse si prokurim elektronik Shqipëria është i vetmi vend në botë që ka 100 % prokurime elektronike. Vendi i dytë në botë për prokurime elektronike të zhvilluar është Kili me 85 % ,standardi evropian është me 40 %”, u shpreh më tej Berisha. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›