Kryeministri Berisha përshëndet hapjen e panairit "Ekspo Art 2006"
Sot paradite, Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në hapjen e panairit "Ekspo Art 2006". Ky është panairi i parë ndërkombëtar i arteve pamore që organizohet në Shqipëri nga Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Galeria e Arteve.
Panairi "Ekspo Art 2006", i ekspozuar në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, do të qëndrojë i hapur përgjatë datave 26-30 qershor. Në panelet e tij janë paraqitur punime të gjinive të ndryshme të arteve pamore dhe koleksione të galerive më kryesore që operojnë në Shqipëri.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi organizimin e një panairi të përmasave të tilla në Shqipëri, duke theksuar se ky aktivitet shënon një arritje të madhe në orjentimin e arteve tona pamora drejt tregut.
"Meritë e një kombi është krijimi i vazhdueshëm i vlerave. Por midis këtyre vlerave, ato kulturore dhe artistike ndërtojnë ndërgjegjien e tij, ndaj mbeten më të çmuarat", u shpreh kryeministri. Zoti Berisha theksoi se këto vlera të mëdha dëshmojnë kontributin e shqiptarëve në qytetërimin e sotëm. Në këtë drejtim, Kryeministri vuri në dukje se ka dhe shumë artistë pamorë shqiptarë të cilët kanë ekspozuar veprat e tyre në galeritë më prestigjoze të vendeve të zhvilluara.
Kryeministri shprehu bindjen se panairi "Ekspo Art 2006" jep një kontribut të madh në njohjen e talenteve dhe dhuntive të mëdha të shpirtit njerëzor.