Mblidhet “Task Force”, reduktohen inspektoriatet
Kryeministri Berisha drejtori sot Task Force për Inspektoratet, e cila përmbylli një cikël të gjatë diskutimesh mbi 18 mujore për reformën e sistemit të inspektorateve, e cila parashikon reduktimin nga 36 në 11 inspektorate.
Kryeministri Berisha tha se kjo reformë është e domosdoshme për të shmangur arbitraritetin e sistemit ekzistues ndaj biznesit, si dhe do të krijojë zhdërvjelltësi shumë të madhe në funksionalitetin e tij.
“Kjo është edhe mbledhja finale, në të cilën pas 18 muaj diskutimesh do të vendoset finalizimi i organizimit të sistemit të inspektoratit në Shqipëri. Natyrisht, pas ligjit, janë një seri vendimesh që duhet të miratohen dhe duhet bërë një punë shumë madhe që ky sistem të mund të konsolidohet sa më shpejt mbi këtë bazë të re ligjore, mbi këtë formë të re organizimi dhe praktika të reja të punës” theksoi Berisha.
Sipas tij shkëputja nga sistemi i ekzistues i inspektorateve u bë i domosdoshëm për shkak të një arbitrariteti të pa tolerueshëm të sistemit ekzistues ndaj biznesit dhe për faktin se eficenca e sistemit të inspektoriateve është e pamjaftueshme dhe në kuadrin e standardeve të reja duhet të vendoset një sistem i ri inspektoratesh.
“Inspektorati është i domosdoshëm. Ligji horizontal duhet të jetë i përbashkët për të gjitha inspektoratet. Reduktimi i tyre nga 36 në 11-12 inspektorate përbën një nga risitë më madhore të sistemit të ri, gjë e cila do të krijojë edhe zhdërvjelltësi shumë të madhe në funksionalitetin e tij. Ngritja inspektoratit qendror do të varet nga Këshilli i Ministrave, me mision të caktuar, pra, jashtë kompetencave të tij për të ushtruar kontroll mbi bizneset, por në tagrin e tij të plotë për të mbikëqyrur punën e inspektorateve, për të zhvilluar, elaboruar standardet e veprimtarisë së tyre dhe mbi të gjitha, për të garantuar transparencën e veprimtarisë së tyre” shtoi më tej Berisha.