E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhet në Bruksel, takimi vjetor i ministrave të jashtëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut

“Shqipëria dhe Kroacia, dëshmi suksesi në përmbushjen e standardeve për në NATO”

Sekretarja e Shtetit amerikan, Condoleza Rice, ka përsëritur dje vlerësimin e saj për sukseset e Shqipërisë dhe Kroacisë në përmbushjen e standardeve nga ana e tyre, për anëtarësimin në NATO.
Këto vlerësime Rice i ka bërë dje në Bruksel, në takimin vjetor të ministrave të jashtëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në këtë ministerial ishin ftuar të merrnin pjesë për herë të parë Shqipëria dhe Kroacia, dy vendet që u ftuan të bëhen anëtare të Aleancës në Samitin e Bukureshtit.
Shqipëria përfaqësohej në këtë ministerial nga Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha.

Sekretarja Condoleza Rice
Gjatë sesionit të parë të këtij ministeriali të 28 ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, Shqipërisë dhe Kroacisë diskutuan mbi çështje të zgjerimit të Aleancës, situatën e sigurisë në rajonin Euroatlantik, marrëdhëniet NATO - Rusi, NATO - Ukraine dhe NATO - Gjeorgji, situatën në Evropën Juglindore, Afganistan etj.
Të gjithë ministrat e jashtëm të vendeve anëtare pasi i uruan mirëseardhjen për herë të parë Shqipërisë dhe Kroacisë në këtë ministerial shprehën përkushtimin dhe angazhimin e tyre të plotë për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO para Samitit të Strasburgut.
“Prania e Shqipërisë dhe Kroacisë sot këtu u shpreh ndër të tjera Sekretarja e Shtetit amerikan, Condoleza Rice, është dëshmi e suksesit të këtyre dy vendeve në përmbushjen e standardeve, por edhe një histori suksesi e Aleancës në zhvillimin e një modeli të suksesshëm për demokracitë e tjera që aspirojnë të bëhen anëtare të Aleancës”.

Ministri Lulzim Basha
Gjatë fjalës së tij Ministri Basha falënderoi ministrat e jashtëm të vendeve anëtare për pritjen e ngrohte në këtë ministerial të parë për Shqipërinë. Në veçanti ministri Basha i shprehu mirënjohjen e thellë Sekretares së Shtetit Condoleza Rice për ndihmën e madhe dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë procesit të suksesshëm të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Ministri Basha më tej u shpreh se Shqipëria është gati të marrë përsipër përgjegjësitë dhe detyrimet që rrjedhin nga privilegji i të qenit anëtar i Aleancës më të suksesshme në histori.
Duke falënderuar vendet që e kanë ratifikuar tashmë protokollet e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO dhe angazhimin e shprehur nga vendet e tjera për ta përmbyllur këtë proces sa më shpejt ministri Basha i siguroi kolegët Euroatlantikë se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të konsoliduar dhe për të çuar më tej reformat dhe standardet e arritura në rrugën e saj të integrimit në NATO.
Ministri Basha tha se, “procesi i zgjerimit të NATO-s ka zgjeruar zonën e sigurisë dhe të stabilitetit në Europën Juglindore”.
Ai shprehu bindjen se, “kapërcimi i çështjeve të mbetura pezull do ti shërbejë integrimit të shpejtë të Maqedonisë në Aleancë”.

Kosova, Ukraina dhe Gjeorgjia
Gjatë ministerialit, duke u ndalur te zhvillimet në Kosovë, Ministri Basha rikonfirmoi qëndrimin e qeverisë shqiptare në mbështetje të shtrirjes së misionit EULEX në të gjithë territorin e Kosovës në përputhje më Kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe në zbatim të planit Ahtisaari.
“Zbatimi pa asnjë cenim i Planit Ahtisaari është garancia më e mirë dhe një domosdoshmëri për sigurinë stabilitetin dhe paqen jo vetëm në Kosovë por në të gjithë rajonin tonë”, theksoi Ministri Lulzim Basha.
Ministri Basha përsëriti mbështetjen e plotë të Shqipërisë për perspektivën Euroatlantike të vendeve të tjera të rajonit duke përshëndetur Dialogun e Intensifikuar të Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës me Aleancën si një hap në drejtimin e duhur.
“Shqipëria, theksoi Ministri Basha, mbështet fuqimisht perspektiven Euroatlantike të Ukrainës e Gjeorgjisë, si dhe deklaratën e Bukureshtit ku konfirmohet perspektiva e anëtarësimit të tyre të plotë në NATO”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›