E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrëmje poetike me Flora Dervishin

Durrës

Një mbrëmje poetike ka gjallëruar fundjavën artistike në Durrës. Krijimet poetike të librit më të fundit “Mes enigmave” të poetes Flora Dervishi të interpretuara nga emra të njohur të skenës durrsake dhe nën tingujt muzikorë, krijuan atmosferë në odeonin “Nikolin Xhoja” në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Ishte një shfaqje poetike e njëkohësisht një promovim i botimit të poetes durrsake. Interpretimet poetike u realizuan nga aktoret e trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu” Sanie Hoti, Mimoza Marjanaku, Eralda çaushi dhe Andia Xhunga, të cilat, sipas konceptimit regjisorial të kësaj ode poetike interpretuan poeten në momente të ndryshme të krijimtarisë, duke qëndruar gjatë të gjithë kohës në skenë. Ndërkaq dy aktorët Xhelal Tafaj dhe Hysen Bashhysa u bënë zëri i poezive që autorja mendonte të përçonte te të pranishmit në sallë dhe njëkohësisht lexuesit e librit të saj. Interpretimet poetike u ndërprenë herë pas here nga çaste muzikore që krijuan ngrohtësinë artistike dhe familjare, si dhe veçantinë në konceptim të aktivitetit. Krijimtaria e Dervishit dallohet për ndjeshmërinë e lartë, brishtësinë femërore dhe dëshirën për të depërtuar në enigmat e natyrës njerëzore. Sopranoja Olta Juba, e shoqëruar në kitarë nga Eduart Tereziu, sollën bukur arien e njohur “Mon Amour”. Autorja, që është edhe drejtoreshë e Bibliotekës Publike të Durrësit, ka pasur në krah të saj si përherë familjen. Mbrëmja u konceptua nga e bija, regjisorja e teatrit Driada Dervishi, ndërsa dy vajzat e tjera i dhuruan nënës së tyre dhe të pranishmëve tinguj muzikorë e një këngë me tekst të Flora Dervishit. Këto qenë edhe dy veçantitë dhe surprizat e kësaj mbrëmjeje. Kënga “Eja”, teksti i së cilës është shkruar nga autorja dhe që u interpretua nga e bija, Metila Dervishi, muzikologe dhe pedagoge në Fakultetin e Muzikës, si dhe poezia e shkruar me rastin e 10-vjetorit të njohjes me publicistin Met Dervishi e shoqëruar nga flautistja Daorsa Dervishi, e cila performoi me flaut barok. Ndërkaq fundjava e ardhshme do të ngjisë në skenë trupën e teatrit profesionist të Durrësit me shfaqjen “Tango”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›