E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës; Konflikt pronësie mes Ministrisë së Ekonomisë dhe bashkisë

Konflikti institucional mes ministrisë së Ekonomisë dhe bashkisë duket se ka gjasa të lërë Durrësin pa bibliotekën e re dhe pishinën dimërore, objekte të cilat kanë marrë miratimin e KRRT-së, por edhe të Kryeministrit Berisha gjatë vizitës zyrtare të tij dy muaj më parë. Kryeministri Berisha ka garantuar gjatë vizitës së tij në bashki, kreun e saj Dako se “qeveria do të jetë e gatshme për financimin e projekteve për ndërtimin e objekteve social-kulturore”. Sipas Dakos, “edhe pse Kryeministri i vendit ka dhënë “OK”, duket se ministri Ruli nuk dihet se përse po vonon fondet e dy objekteve kaq me rëndësi, duke nxjerrë pretendimin për gjetjen e një trualli për këto dy objekte me rëndësi për qytetin dhe komunitetin durrsak”. Edhe pse idetë për zhvillimin e qytetit të Durrësit nuk mungojnë, mosmarrëveshjet ndërmjet institucioneve të pushtetit vendor me ato qendrore vazhdojnë të mbajnë të bllokuara projekte mjaft të rëndësishme. Bëhet fjalë për dy objekte të cilët prej 20 vjetësh kanë dalë jashtë përdorimit e që mbajnë të bllokuar dy troje me sipërfaqe të mëdha, mbi të cilat mund të kryhen investime publike për të cilat Durrësi ka mjaft nevojë. I pari është ish-klubi i kulturës së portit, që ka zënë një truall me sipërfaqe 600 metra katrore dhe që APD-ja ka deklaruar se “do ta bëjmë muze”, në një kohë që pushteti vendor e ka kërkuar këtë objekt për të ngritur në vend të tij një bibliotekë për qytetin. Ministria e Ekonomisë ka ngarkuar bashkinë të gjejë tjetër truall për ndërtimin e saj, kurse objekti tjetër, prej kohësh gërmadhë, është ish-pishina dimërore. Mbi të mund të ndërtohet një qendër edukimi fizik, duke ruajtur edhe pishinën, por me sa duket, bashkia ende nuk ka hartuar një projekt për të ardhmen e këtij trualli. Sipas bashkiakëve, për këtë do të pritet përfundimi i studimit urban të zonës B, ku bëjnë pjesë edhe mbetjet e kësaj pishine. Ndërkohë, askush gjatë këtyre viteve nuk është kujtuar për teatrin veror te Vila e Zogut, tashmë i kthyer në gërmadhë. Ky objekt është pushtuar nga disa familje, të cilat nuk është vështirësi e madhe për t’i larguar që andej dhe objektit t’i kthehet destinacioni i dikurshëm.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›