E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali i mushkërive “Shefqet Ndroqi” kthehet në spital universitar



Një tjetër spital universitar i shtohet qytetit të Tiranës. Kështu, spitali i mushkërive “Shefqet Ndroqi”, me vendim të Këshillit të Ministrave, i propozuar nga ministri i Shëndetësisë, kthehet në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, si person juridik, publik, buxhetor, me kapacitet 300 shtretër, i nivelit terciar, që do të shërbejë si qendër e mjekimit, mësimit dhe kërkimit shkencor, për rajonin e Tiranës.

Administrata

Zyra e Shtypit pranë MSH-së sqaron se drejtimi administrativ i spitalit është në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Drejtimi institucional është në varësi të dyfishtë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, si organe që bashkërendojnë veprimtarinë e spitaleve universitare. Funksionet mjekësore, mësimore dhe kërkimore shkencore të spitalit realizohen nga strukturat përkatëse në nivel departamenti dhe shërbimi, në bashkëpunim me drejtorinë e spitalit. Mënyra e organizimit, struktura dhe rregullorja e funksionimit, përcaktohen nga ministri i Shëndetësisë. Ndërkohë, drejtori i spitalit emërohet, lirohet ose shkarkohet nga detyra prej ministrit të Shëndetësisë.

Në kuadër të reformimit të sistemit shëndetësor në përgjithësi, e në veçanti atij spitalor, krahas përpjekjeve për përmirësimin e cilësisë së shërbimit, MSH-ja është e angazhuar dhe për një organizim më efikas dhe menaxhim kosto-efektiv të institucioneve shëndetësore në gjithë vendin.

Aktualisht, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është qendra më e rëndësishme e dhënies së ndihmës mjekësore në vend, unikale për peshën që mban dhe cilësinë e shërbimeve, me një shfrytëzim shtrati mbi 85%. Në të realizohet aktiviteti për trajtim pacientësh në nivel terciar, formim universitar dhe pas universitar, si dhe kërkim shkencor. Roli i kësaj qendre në shëndetësinë shqiptare është i padiskutueshëm, por nga ana tjetër, si rezultat i migrimit të brendshëm të popullatës me tendencë nga periferia në qendër dhe teknologjinë që ka në dispozicion, aktualisht ky spital po funksionon dhe si një poliklinikë e madhe për të gjithë vendin.

Aktualisht, spitali universitar i mushkërive ”Shefqet Ndroqi” ofron shërbimin konservativ dhe kirurgjikal vetëm për sëmundjet e mushkërive.

Spitali do të funksionojë në tre blloqet aktuale të spitalit të mushkërive dhe do të ofrojë kujdes shëndetësor të nivelit sekondar dhe terciar, me 300 shtretër. Në spital do të funksionojë dhe pjesa e konsultave për vizitat ambulatore (out patient). Të tre blloqet e spitalit disponojnë shërbime bazë për përmbushjen e nevojave që lidhen me trajtimin mjekësor të pacientit si p.sh. shërbime diagnostikimi, shërbime mbështetëse mjekësorë dhe jo mjekësore. Këto facilitete do të ruhen dhe do të punojnë si një njësi e vetme për spitalin.

Organizimi i spitalit do të jetë në shërbime dhe departamente, ndërsa marrëdhëniet midis drejtorisë së spitalit dhe Fakultetit të Mjekësisë do të rregullohen me statutin e miratuar nga ministri i Shëndetësisë dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës.

Ndërkohë, MSH-ja do të kryejë kompensimin financiar për shërbimin që jep në spital stafi akademik i Fakultetit të Mjekësisë, kundrejt lidhjes së kontratave respektive.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›