E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infermierët, procedurat për punësim legal në Itali

Infermierët shqiptarë mund të gjejnë punësim të ligjshëm në shtetin italian. I konsideruar si një profesion që në shtetin fqinj ka treg pune, shpallen kriteret dhe procedurat përkatëse për aplikim punësimi në këtë vend. Për të gjithë ata studentë që kanë mbaruar Fakultetin e Infermierisë dhe në duart e tyre kanë tashmë diplomën përkatëse, mund të bëjnë kërkesat përkatëse për t’u punësuar si infermier në Itali.

Procedurat

Për të gjithë të diplomuarit për infermieri, punësimi legal në shtetin Italian bëhet përmes disa procedurave të veçanta që kërkojnë bashkërendimin e dokumentacionit përkatës në të dy vendet.

Kështu, punësimi i infermierëve profesionistë shqiptarë që kërkojnë të punojnë në Itali, nuk rregullohet në suazën e kuotave vjetore, por si kategori që bën pjesë në të ashtuquajturat "jashtë kuotave", si infermierë që punësohen pranë strukturave sanitare publike dhe private, që kanë një titull studimesh të njohur nga Ministria e Shëndetësisë.

Drejtoria e Politikave Migratore në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, bëri të ditur se procedura e njohjes së titullit të studimit mund të nisë nga punëdhënësi i interesuar për punësimin nga jashtë, apo edhe nga vetë i interesuari, në rastin kur ka tashmë një qëndrim të rregullt në Itali.

Miratimi për punësim kërkohet pranë Sportelit Unik për Imigrimin, përmes plotësimit të modulit dhe dërgimit telematik nga ana e punëdhënësit. Subjektet që mund të punësojnë janë: struktura sanitare (publike/private), agjenci të ofrimit të fuqisë punëtore apo shoqëri të formës së kooperativave. Lidhur për dokumentacionin që nevojitet për vizë, Drejtoria e Politikave Migratore sqaron se viza lëshohet përmes miratimit ("Nulla Osta") për punë të lëshuar, sipas kërkesës së punëdhënësit.

I huaji (në këtë rast shqiptari) brenda tetë ditëve nga hyrja në Itali, duhet të paraqitet tek Sporteli Unik për të nënshkruar kontratën e qëndrimit, duke paraqitur edhe dokumentet e një strehimi të përshtatshëm dhe dokumentacion që provon disponibilitetin e këtij strehimi. Për të ushtruar profesionin, infermieri i huaj duhet të kërkojë regjistrimin në kolegjin provincial të vendit të punës apo të banimit.

Ministria e Punës sqaron gjithashtu se parakushti i domosdoshëm që do të mundësojë autorizimin e hyrjes nga jashtë dhe për ushtrimin e ligjshëm të profesionit të infermierit profesionist në Itali, është njohja e titullit përkatës të studimit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe regjistrimi pasues në Librin e Profesionit përmes verifikimit, nën kujdesin e urdhrit kompetent profesional të njohjes së gjuhës italiane dhe të dispozitave speciale, që rregullojnë ushtrimin profesional në Itali.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›