E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekt 4-vjeçar për ndryshimin e klimës në deltat e lumenjve

Qeveria shqiptare dhe PNUD-i prezantuan dje projektin e ri “Identifikimi dhe implementimi i masave përgjegjëse për adaptim ndaj ndryshimeve të klimës në deltat e lumenjve Drin dhe Mat”.

Projekti që zbatohet në kuadër të programit “Një OKB”, me kohëzgjatje 4 vjet, financohet nga Fondi për Mjedisin Global, qeveria shqiptare, PNUD-i dhe Qendra Rajonale e Mjedisit.

Projekti që do të zbatohet në lumenjtë Drin dhe Mat, me vlera të rëndësishme për biodiversitetin në këndvështrimin global dhe kombëtar, synon të asistojë qeverinë shqiptare në zbatimin e strategjive për të zbutur dhe përballuar ndikimet e ndryshimeve të pritshme klimatike. Projekti parashikon disa masa për adaptim, si rivendosja e habitatit të dunave bregdetare, modifikimi i planeve të mbrojtjes së zonës midis deltës së lumenjve Drin dhe Mat. Në projekt përfshihen dhe masa të tjera adaptuese lidhur me peizazhin e kësaj zone.

Raporti i fundit i OKB-së ka konfirmuar ngrohjen e klimës, e cila ndikon në aktivitetin njerëzor dhe jetën social-ekonomike. Ndikime të tilla klasifikohen nga rritja e nivelit të detit, shkrirja e akujve, ngjarjet ekstreme, thatësirat, përmbytjet, ngrohja dhe ndryshimet në ekosisteme. Ashtu si vendet e tjera, Shqipëria nuk ka imunitet nga këto ndikime, pavarësisht se kontributi në sasinë e shkarkimeve të gazeve me efekt me serë është i ndryshëm.

Ndikimi i ndryshimeve klimatike në Shqipëri pritet të shfaqet me ngritje të temperaturës, pakësim të sasive të reshjeve dhe rritje të nivelit të deteve. Në qoftë se nuk merren masa në kohë, ky ndikim mund të çojë në vonesën e progresit që po bën vendi ynë në arritjen e objektivave të mijëvjeçarit. Nga studimet e bëra në vend, janë identifikuar sektorët dhe fushat që janë më të rrezikuara, ku përfshihen burimet ujore, energjia e prodhuar nga burimet ujore, zona bregdetare, ekosistemet dhe bujqësia.

Ndryshimet klimaterike, Xhuveli jep 2 milionë dollarë

Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Lufter Xhuveli, tha dje se "në Shqipëri është verifikuar ulje e sasisë së reshjeve vjetore dhe ngritje graduale e temperaturës''.

Pas prezantimit të projektit “Identifikimi dhe implementimi i masave përgjegjëse për adaptim ndaj ndryshimeve të klimës në deltat e lumenjve Drin dhe Mat”, ministri Xhuveli foli mbi ndryshimet klimatike në Shqipëri, duke nënvizuar se “ne kemi studiuar problemin e efektit të ndryshimeve klimatike në Shqipëri, në kuadër të një studimi të përgjithshëm që janë duke kryer Kombet e Bashkuara".

Ai informoi se për të konkretizuar më tej masat që duhet të merren, kemi ndërmarrë një projekt së bashku me Përfaqësinë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. Sipas tij, financimi i këtij projekti arrin në 2 milionë dollarë.

Ministri Xhuveli sqaroi se projekti do të studiojë ndryshimet konkrete që pritet të ndodhin në deltën e Drinit dhe Matit si efekt i ndryshimeve globale të klimës në rruzullin tonë dhe do të përcaktohen masat e mundshme në mënyrë që të vazhdojë zhvillimi i qëndrueshëm i këtyre zonave. Sipas tij, nga ky projekt pritet të fitohet eksperienca e nevojshme për t’u paraprirë masave që do të merren për ndryshimet klimatike që janë duke ndodhur apo do të ndodhin.

“Ky projekt është përqendruar në deltat e Matit dhe të Drinit, sepse në to duket se paraprakisht ndikimet janë më të mëdha ose pritet të jenë më të mëdha se në zonat e tjera”, - sqaroi z. Xhuveli, duke nënvizuar se “ne duam t'u paraprijmë ndryshimeve të mundshme dhe për zona të tjera të Shqipërisë”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›