E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbretëria e Bashkuar ka nevojë për një Kushtetutë



Qytetarët britanikë duhet t'i bindim se ajo që pritej nga "politika e re", nuk rezultoi ashtu siç ishte parashikuar. Së pari, tek ne u shpërfaq një retorikë në dukje rinovuese dhe për "pushtetin e popullit", por e ujdisur dhe e sajdisur më shumë për të fituar zgjedhjet. Një shëmbëlltyrë e re feksi në Downing Street, Nr. 10. Sa i lumtur mund të ndiheshe atje, më 1 maj të vitit 1997, ditë në të cilën Tony Blair u bë Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar. Por më pas, zuri vend zhgënjimi në vijim dhe ashtu i ngadaltë, kur padronët e rinj u sollën njëlloj si pararendësit, madje duke shfrytëzuar të gjitha pushtetet dhe përparësitë e një qeverie tej mase të pushtetshme, në një shtet të centralizuar me tepri.

Është me të vërtetë dobisjellëse që udhëheqësit politikë britanikë po debatojnë tashmë për të ofruar zgjidhje radikale, me qëllim reformimin e sistemit politik të vendit. Gjithsesi, konservatorët e David Cameron-it janë po aq të vendosur për të siguruar pushtetin me mënyra neobleriste, duke mos pasur ndërmend të ndryshojnë makinën, por shoferin. Me qëllim që kjo reformë madhore të jetë autentike dhe t'i rezistojë kohës, Britania e Madhe nevojitet t'ua bëjë të qartë sa më shumë politikanëve të saj, që, për hir të së vërtetës, do të thotë një Kushtetutë e shkruar.

Në demokracinë parlamentare britanike, rruga drejt këtij revolucioni tipik britanik kalon përmes Parlamentit. Për pasojë, para votuesve britanikë dhe brezit të ri të kandidatëve, na duhet të ngrejmë e shtjellojmë një seri çështjesh kushtetuese. Për më tepër, na duhet të përpunojmë me shpejtësi tezat tona. Mbi të gjitha, për shkak të rrëzimit nga posti të drejtuesit aktual, Gordon Brown, në rast të marrjes së rezultateve të ulëta në zgjedhjet lokale e veçanërisht në këto evropiane të qershorit. Nëse vendosim të mbajmë zgjedhje të reja të përgjithshme në fund të këtij viti - me një udhëheqës si Alan Johnson - do ta gjejmë veten të përfshirë tërësisht në fushatë elektorale. Sigurisht, ndryshimet do të zgjasin më shumë. Bëhet fjalë me gjasë për një projekt që zgjat në dy legjislatura, por asnjëherë nuk është tepër vonë, që të fillojmë të kërkojmë kompromiset e nevojshme.

Po ju bëj të njohur pjesë të të dhënave personale të kandidatëve parlamentarë të marrë në shqyrtim, për Oxford West dhe Abingdon, duke i përshkruar si një qytetar i thjeshtë, dhe jo si një ekspert kushtetues. Për këtë arsye, do t'i jem mirënjohës gjithkujt që mendon ndryshe apo do të ofrojë sugjerimet e tij. Nuk ka dyshim që kam lënë jashtë shtjellimit çështje të rëndësishme dhe ka disa të tjera për të cilat bie dakord se i kam sqaruar më detajisht. Këtë herë, grupimet dhe nismat qytetare duhet të fillojnë të përmbledhin kërkesat e tyre, nëpërmjet internetit apo mënyrave të tjera, por nuk kemi arsye të mjaftueshme të shpërfaqim të gjithë kërkesa identike. Nëse një numër i konsiderueshëm individësh i vë në siklet gjatë një kohe të mjaftueshme kandidatët e tyre - rreth një serie problemesh të ngjashme - kandidatët vetë do ta kapnin më së fundi mesazhin e dhënë.

1. Reforma zgjedhore. Ne kemi nevojë të ngutshme për një trupë përfaqësimi sa më përfaqësuese. Në dijeninë time, propozimi më realist është ai i komisionit që drejtonte i ndjeri Roy Jenkins, të cilit qeveria i kërkoi këshillë e më pas e la pas dore. A jeni të gatshëm, të nderuar zonja e zotërinj, për ta vënë tashmë në zbatim?

2. Afate të përcaktuara të legjislaturës. A ndiheni të gatshëm vallë, të mbështesni nismën që, për disa parlamentarë, të ketë afate të përcaktuara legjislaturash. Me qëllim që qeveritarët t'ia dalin realisht mbanë të kryejnë reforma serioze, unë sugjeroj një periudhë pesëvjeçare. Sigurisht, duhet të kemi dispozita të veçanta për të thirrur zgjedhje të parakohshme, nëse puna e qeverisë bllokohet apo edhe për rrethana për të cilat duhet të jemi të kujdesshëm deri në detaje. E meqë jemi këtu, pse të mos e kufizojmë mandatin për çdo kryeministër, që të mos zgjidhet më shumë se dy herë? Nëse ky afat kohor vlen për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës - përmend këtu që edhe Partia Komuniste e Kinës e ka vënë tashmë në zbatim - duhet të jetë po aq i vlefshëm edhe për ne. Nuk besoj që kishte dobi kufizimi në mandat të tretë për Margaret Thatcher dhe Tony Blair, për të parë më sytë tanë rrezikun. Ashtu siç thërrisnin studentët në Paris në vitin 1968: “Dix ans, ca suffit!” (Dhjetë vjet, boll më!).

3. Komisione parlamentare të pavarura dhe të forta. Parlamenti ynë ka përparuar disi në këto 20 vitet e fundit, deri në krijimin e këtyre lloj komisioneve - një nga gurët e çmuar të sistemit amerikan. Seancat dhe raportimet në to janë mjetet më të mira që kemi për të kontrolluar një ekzekutiv tejet të fuqishëm. Kryetarët e komisioneve, të zgjedhur në mënyrë të pavarur dhe me një mundësi më të madhe për t'iu referuar dëshmitarëve, kontribuojnë në forcimin e rolit të tyre aq thelbësor.

4. Parlamentarë sa më të përkushtuar dhe frytdhënës. Besoj se parlamentarët tanë duhet të paguhen më shumë, ashtu si në vendet e përparuara demokratike, me të ardhura të tilla që të mos detyrohen të keqpërdorin fondet publike. Nga ana tjetër, ata duhet ta trajtojnë punën e tyre me përkushtim të plotë, e të mos merren me punë të tjera personale veç atyre më pak të rëndësishme, si dhe të mos kenë asnjë konflikt interesi me detyrimet që u lindin nga qenia e tyre me statusin e parlamentarit. Vetëm kështu, ndoshta do të na jepet mundësia për të pasur parlamentarë të nderuar.

5. Reforma në Dhomën e Lordëve. Nga mënyra se si është gatuar (kompozuar), dhoma jonë e dytë, ajo ngjan si një aromatizues (perifollo-dhiozmë, nenexhik) konstitucional, krejtësisht qesharak. E megjithatë, në vitet e fundit, këto palë që askush nuk i ka zgjedhur, kanë qenë disa prej mbrojtësve më të rëndësishëm të lirive tona. Dhoma e Lordëve është një absurd më vete, e prej së cilës kanë dalë gjera të mençura. Nuk besoj se duhet ta kthejmë në një dhomë për të zgjedhurit, që do të kufizohej vetëm me lançimin e politikave partiake të komunave e duke i mbështjellë këto me gëzof të kuqërremtë dhe të purpurt. Ne nuk mund të kemi senatorë si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi nuk kemi shtete si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse dikush ofron ide më të mira, është i lutur t'i shprehë.

6. Qeverisje lokale demokratike më të forta. Gjatë udhëtimeve të mia në Evropë dhe SHBA, vija re se fuqia e qeverive lokale në këto vende është në kontrast të plotë me pafuqinë apo dobësinë e këtyre që kemi në Britaninë e Madhe. Angështia që ndihet në shtetin britanik, është centralizmi i tepruar. Edhe pse të bën habi, na nevojiten disa mijëra më shumë se Borisit, që do të thotë, opsionet lokale të ekscentrikut, edhe pse figurë me popullaritet, të bashkiakut demokrat të Londrës, Boris Johnson.

7. Karta e të drejtave. Një kodifikim në mënyrë eksplicite i të drejtave tona, nuk lipset dhe nuk duhet të nënkuptojë revokimin e Ligjit të të Drejtave të Njeriut, që ka adaptuar në legjislacionin britanik, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Aq më pak, duhet të përfshihemi në debate të kota mes mbrojtësve të të drejtave universale të cilitdo person që jeton në truallin britanik dhe nga ana tjetër, e atyre që preferojnë të vënë theksin tek të drejtat universale tradicionale të britanikëve. Mbrojtësit e të drejtave dhe ata të lirive gjenden në të njëjtën anë.

8. Një kthim të shtetit tek të dhënat bazë. E vlerësoj z. David Cameron, i cili, në një artikull të publikuar në gazetën "The Guardian", ka thënë se programi madhështor i regjistrit kombëtar të identitetit është një provë e qartë për "një shtet vigjilent dhe gjithnjë e më shumë oruellian". Por, kemi nevojë gjithashtu për kompromise konkrete për tema që shkojnë nga kartat e identitetit e deri tek të dhënat e ADN-së, që kalojnë nëpërmjet përgjimit të postës elektronike, si dhe na nevojitet një plan i mirëfilltë veprimi. Revokimi i praktikave të ndërhyrjes për të përgjuar - tashmë që kanë zënë rrënjë - të ministrit të Brendshëm, të policisë dhe shërbimeve sekrete, është një sipërmarrje vigane.

9. Dëshirojmë të kemi amendamentin Numër Një. Në Britaninë e Madhe, tashmë nuk mund ta ofrojmë badihava (pa fre) lirinë e shprehjes dhe të besimit, sepse është duke u gërryer nga drejtime të ndryshme. Na duhet ta ankorojmë në një formë eksplicite në Kushtetutë, ashtu si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

10. Rrugëtimi drejt një kushtetute të shkruar. Sigurisht, Kushtetuta aktuale e Britanisë së Madhe nuk është në të vërtetë "e pashkruar", siç flitet rëndom. Ajo është e shkruar në qindra copëza, të tubuara me një shirit adeziv dhe që me ngjyrën e verdhë në bishtin e saj, duket sikur plasarit disi traditën. Bashkimi i të gjitha këtyre pjesëve në një tekst të administrueshëm, të shkruar në prozë brilante dhe plot energji, për të thënë në mënyrë të drejtpërdrejtë atë që kuptohet tërthorazi (të bëjë eksplicite impliciten), si dhe të tejkalojë boshllëqet dhe kundërshtitë nëpërmjet reformave, do të konsiderohej me të vërtetë një hap i madh përpara.

Mbaj gjithmonë me vete dy libra xhepi, njëri i kuq e tjetri i bardhë. Që të dy përmbajnë dy prej teksteve politike më të mira të botës së tashme: Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atë të Republikës Federale Gjermane. Meqë kam kaluar një pjesë të jetës në të dyja këto vende, kam konstatuar me kënaqësi se këta njerëz, nëse dëshirojnë, mund ta mbajnë në xhep kushtetutën e tyre, duke pasur edhe mundësinë për të mbajtur mend përmendsh fragmente të veçanta të saj, duke iu referuar atyre, kur përballen me vetë shtetin. Pse të mos bëjmë të njëjtën gjë edhe ne këtu në Britaninë e Madhe? Kështu që, kur të kemi të zgjedhurit e Parlamentit që vjen pas këtij që e kemi në prag, me gjasa në vitet 2014-2015, do të doja që në të njëjtën kohë të votonim në një referendum për Kushtetutën e re britanike. Atëherë dhe vetëm atëherë, do të kuptojmë se me të vërtetë diçka ka ndryshuar përgjithmonë.

*Timothy Garton Ash është profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin e Oksfordit dhe profesor në "Hoover Institution", në Universitetin e Stanfordit.

Përgatiti në shqip Zamir Gjurgji

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›