E Shtunë, 31 Tetor 2026

More, beson mua ti, apo gomarin?

Nga Gjon BRUÇI                         
Fushata elektorale e zgjedhjeve të 28 qershorit ka hyrë në hullinë e saj të plotë. Performanca e saj është nga më interesantet midis gjithë fushatave të zhvilluara në dy dekadat e fundit. Falë kompanive madiatike euro-amerikane, të atashuara pranë partive politike kryesore, por dhe për meritë të këtyre të fundit, që kanë lyer rrotat e të parave (doemos me kontributin e taksave tona), ne qytetarët që mbushim sheshet, sallat, auditorët, apo që fiksohemi për orë të tëra para ekraneve të televizorëve, po përjetojmë një fushatë klasi, që për nga forma, paraqitja e rrezatimi ia kalon disa herë fushatës së fundit të Bush- Obamës. Por duke e lënë mënjanë performancën fosforeshente, që personalisht nuk e kuptoj përse merr kaq rëndësi, por edhe kohë e fonde të konsiderueshme, le të ndalemi në thelbin e fushatës, në alternativat që subjektet politike paraqesin në garën për pushtet. Të gjitha fjalimet e liderëve politikë, por edhe alternativat e tyre, nëse mund të quhen të tilla, kanë të njëjtën skemë: Goditje fatale kundërshtarit; paradë suksesesh e arritjesh (kryesisht pozitari) dhe premtime marramendëse për të ardhmen. Për të parën, goditjen e kundërshtarit, kemi patur rastin ta njohim e përjetojmë gjatë gjithë periudhës paraelektorale e më tej. Tani në fushatë, ajo është forcuar me arsenal, pasuruar me fjalor dhe për efekt kohe po ekzekutohet me breshëri mitralozash e bateri topash. Ne si qytetar e votues, me shansin për të ndikuar disi me votën tonë, dëgjojmë me vëmendje dhe marrim në konsideratë ato që na premtohen për të ardhmen. Dhe duhet pranuar, se për premtime, liderëve tanë të nderuar nuk ua kalon kush. Deri në këto momente, në startin fluturues të premtimeve, me një diferencë të dukshme, udhëheq lideri i pozitës. Me një karizëm shokues, pasi na bombardon me arritjet madhështore të qeverisjes së tij, që e paska radhitur vendin tonë në dhjetëshen e në disa tregues edhe në treshen Europiane, me Llambën e Aladinit në dorë hidhet në lëmin e arritjeve e premtimeve të ardhshme, aq fort të dëshiruara prej tij. Kur lideri në fjale vargëzon me pathos sukseset madhështore,që ka arritur në këta katër vjet mandat, unë, në vend që të hidhem e të bërtas Bravo, mblidhem kruspull si një pikëçuditëse e mjerë. Rrogat e pensionet dyfish? Kontrolloi xhepin ku kam pensionin, e krahasoj me çmimet aktuale dhe hesapi më del ndryshe. Rruga patriotike Durrës- Kukës? Shoh të pritet shiriti, por rruga thonë mund të mbarojë nga viti 20013... Hyrje triumfale në NATO? Po, kjo është e vërtetë. Veçse me një korrigjim të vogël: Në NATO kemi hyrë qysh kur NATO hyri tek ne. Nga ana tjetër, për mua qytetarin, hyrja në NATO nuk solli ndonjë ndryshim në mirëqenien time, nuk e ndryshoi statusin tim të të papunit, të të pastrehit, nuk ma hoqi debinë në listën e gjatë të dyqanit të ushqimeve... Akoma më shokuese janë për mua votuesin premtimet e realizimet që lideri pozitar deklaron se do të realizojë gjatë mandatit të dytë. Sidomos zotimi se gjatë mandatit të dytë  ne do të kalojmë gjashtë- shtatë vende të BE për nga ritmi i zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies!!!  Kur dëgjova këtë të fundit në një nga mitingjet elektorale thashë me vete: Kushedi se sa të madhe do ta ketë Lideri ynë Llampën e Aladinit: Por edhe opozitarët nuk mbeten prapa në fushën e premtimeve. Madje opozitari kryesor, ai më i madhi e më i gjati deklaron se me politikën e re do të sjellë epokë të re, pse jo edhe një Shqipëri të re. Ajo që të bie më tepër në sy është ngjashmëria në logon e tyre të fushatës. Të gjitha palët,ose më saktë dy Demat kryesorë të arenës kanë në qendër të Logos Ndryshimin. Njeri Shqipëria po ndryshon e tjetri Koha për Ndryshim. Që Shqipëria ka ndryshuar, po ndryshon e do të ndryshojë, kjo nuk do mëndje për ta kuptuar e për ta besuar. Rëndësi ka të dihet se si e qysh po ndryshon e do të ndryshojë, kush është kahu i ndryshimit. Kësaj i bëjnë bisht të gjithë. Asnjë platformë të qartë, asnjë strategji të mirëfilltë, asnjë program të saktë e transparent nuk shohim prej partive dhe liderëve të tyre në funksion të ndryshimit, të integrimit, të zhvillimit. Vetëm parulla bajate propagandistike që kërkohet të përtypen nga turmat në mënyrë apriori. I zhgënjyer nga bllofet e realizimeve të katërvjeçarit (madje dhe 18 vjeçarit) elektoral që po lëmë pas dhe i shokuar nga premtimet fantazmagorike të mandatit politik të ardhshëm, u takova me një plak shkodran, i njohur për zgjuarsinë e tij natyrale, me shpresën, të çlirohem nga pikëçuditëset e pikëpyetjet, që më kishin mbërthyer. Në përgjigje të shqetësimit tim, plaku i mençur më tregoi këtë barsoletë: Një fshatar shkon tek Nastradin Hoxha dhe i kërkon gomarin të mbartte ca dru në pyll. - Më vjen keq, - i tha Nastradini, - por gomarin ka tre ditë që ja kam dhënë Hasanit. Ndërkohë, poshtë në katua gomari i Nastros ia theri një përshëndetjeje sipas traditës. - Hoxhë efendi, - foli fshatari, - gomarin se paska marrë Hasani, po e paske në katua?! - More, - ia ktheu Nastradin Hoxha, - beson mua ti, apo gomarin?!...Barsoleta e mësipërme ma daraviti mjegullën që më kishte bllokuar arsyetimin. Ne duhet të besojmë ato që na thonë liderët tanë të shtrenjtë. Fjalët dhe premtimet e tyre janë si një aksiomë qe nuk kërkon vërtetim. Ne duhet të dëgjojmë e besojmë Nastron dhe jo gomarin. Vërtet ky i fundit është ndër kafshët më të buta, më të durueshme,më pa fjalë, por ai mbetet gomar. Veçse edhe gomari e ka një huq. Kur zemërohet (se ndodh që edhe zemërohet), shqelmat e tij janë më të këqij se ato të kalit. Kur rrëzohesh prej kalit, vritesh shumë pak, ndërsa po re nga gomari, thyen brinjët. Ndaj or miq, dëgjoni e besoni Nastradinin, por nga ana tjetër ruhuni edhe nga gomari.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›