“Mbreti Leka, mbështetës kryesor i përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet”
“Sot (dje) në mëngjes ndërroi jetë Mbreti i shqiptarëve, Leka i Parë, në moshën 72 vjeçare. Kjo është një humbje e madhe për kombin, për vendin. Leka i Parë u kurorëzua Mbret në prill të vitit 1961, pas vdekjes së Mbretit Zogu i Parë. Ai u largua foshnje nga Shqipëria, vetëm dy ditë pas lindjes, por u rrit dhe u mbrujt me dashuri të pakufishme për vendin dhe kombin. Mbreti Leka, në të gjithë jetën e tij në mërgim, ishte mbështetës kryesor i luftës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e kudo që ndodheshin. Ishte frymëzues i tyre në këtë betejë. Pas hapjes së vendit, në vitin 1997 u dekretua nga Presidenti i Republikës referendumi popullor, për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë mundësinë e përzgjedhjes së tyre. Mohimi i të drejtës së Mbretit për kthim në Shqipëri ishte një nga veprimet më arbitrare të Enver Hoxhës dhe klikës së tij. Mbreti Zog u largua nga Shqipëria ashtu siç u larguan mbretërit e tjerë, nga mbretëritë e pushtuara nga forcat nazifashiste. Por Mbreti Zog qëndroi në të gjithë kohën, në anën e koalicionit antifashist. Në 7 prill 1939, forcat dhe mbështetësit e tij, të udhëhequra nga Abaz Kupi, luftuan me trimëri në portin e Durrësit. Më pas, forcat mbretërore, sërish të udhëhequra nga Abaz Kupi, vazhduan luftën për çlirimin e vendit deri në vitin e fundit të saj. Natyrisht, lufta nacionalçlirimtare mori edhe aspektin e saj vëllavrasës, siç dëshmojnë dokumente të panumërta dhe kjo vëllavrasje kishte vetëm një qëllim, të garantonte me çdo kusht Enver Hoxha pushtetin. Por legalistët, mbretërorët luftuan me vendosmëri të madhe okupatorët nazifashistë, gjatë të gjitha viteve të pushtimit. Përpjekjet e tyre, pas vendosjes së diktaturës në Shqipëri, ishin të pandërprera. Në vitin 2003, parlamenti shqiptar votoi ligjin, ku i njeh atributet familjes mbretërore dhe ky ishte një vendim shumë i drejtë. Dua të theksoj se edhe referendumi u bë në flakët e rebelimit komunist dhe nuk mund të konsiderohet si një çështje e mbyllur. E vërteta është se pa diskutim në atë referendum dominoi parimi stalinist: ju votoni, numërimin e votave jua bëj unë. Por ajo që është reale, shqiptarët votuan masivisht, nga Konispoli në Vermosh, për mbretin e tyre. Referendumi nuk e kapi kuotën, por atë e përcaktuan ata, të cilët manipuluan dy javë rresht votat e referendumit. Sot është një ditë e veçantë, ditë tjetër, në të cilën shqiptarët humbën një nga personalitetet më të mëdha të historisë së tyre politike. Në ligjin e parlamentit, përcaktohet detyrimi i përfshirjes në Protokollin Shtetëror të Familjes Mbretërore dhe ky ka qenë një vendim shumë i drejtë. Ndaj vendi dhe kombi do ta përcjellin Mbretin Leka i Parë me nderimet e atributet që i përkasin një Mbreti jo në detyrë. Për këtë qëllim, krijohet një komision shtetëror i kryesuar nga Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, zoti Haxhinasto, i përbërë nga ministri i Kulturës, ministri i Mbrojtjes dhe një seri personalitetesh, ku do të jenë edhe përfaqësues të Oborrit Mbretëror. Dita e shtunë do të jetë zi kombëtare me të gjithë spektrin e ditës së zisë të nivelit mbretëror. * Fjala në hapje të mbledhjes së Këshillit të Ministrave
...