E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria shpall ditën e shtunë, ditë zie kombëtare

01-12-2011 / Gazeta 55

Ceremoni funebre shtetërore në nderim të të ndjerit Leka Zogu I, ngrihet edhe komisioni shtetëror


Këshilli i Ministrave, me propozim të Kryeministrit Sali Berisha, mbajti një minutë heshtje për të nderuar kujtimin e pretendentit për fronin mbretëror Leka Zogu I, ndërsa në mbledhjen e djeshme shpalli ditën e shtunë, 3 dhjetor 2011, ditë zie kombëtare, me rastin e zhvillimit të ceremonisë funebre shtetërore, në nderim të të ndjerit Leka Zogu I, (pretendent i fronit mbretëror të shqiptarëve). Në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, flamuri kombëtar ulet në gjysmë shtize dhe në orën 12 do të mbahet një minutë heshtje, ndërkohë që Radio Televizioni Publik Shqiptar, gjatë zhvillimit të ceremonialit, do të transmetojë muzikë funebre. Po kështu, në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave, vendosi organizimin e ceremonisë funebre shtetërore, në nderim të të ndjerit Leka Zogu I. Për organizimin e kësaj ceremonie funebre Këshilli i Ministrave vendosi ngritjen e komisionit shtetëror, në përbërje të të cilit janë Edmond Haxhinasto, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi, ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Arben Imami, ministër i Mbrojtjes, një përfaqësues i Oborrit Mbretëror Shqiptar, një përfaqësues i protokollit të Shtetit dhe një përfaqësues i protokollit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ceremonia e homazheve do të organizohet ditën e shtunë, datë 3 dhjetor 2011, nga ora 10.00 deri 12.00, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Qeveria vendosi gjithashtu që shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i vitit 2011, miratuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Presidenti Topi: Në kujtesën tonë kombëtare, të gjalla përpjekjet për nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë Presidenti Bamir Topi u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të pretendentit të fronit mbretëror, Leka Zogu I. Nëpërmjet një mesazhi, kreu i shtetit shprehet se, “në këto momente të trishtueshme dhe të vështira për ju, më lejoni që në emër të shtetit shqiptar dhe timin personal, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”. Në mesazhin e tj, Topi thekson se, “Leka Zogu I pati një jetë të vështirë, por pavarësisht nga fatet e jetës, ai nuk reshti në asnjë çast duke punuar me përkushtim e dashuri në mbrojtjen dhe promovimin e çështjes shqiptare. Në kujtesën tonë kombëtare kanë mbetur të gjalla përpjekjet dhe roli i tij aktiv për rrëzimin e sistemit komunist, dhe, gjatë tranzicionit, për lartësimin e vlerave kombëtare dhe nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë. Ndarja nga jeta është një humbje e madhe për ju, për të afërmit, për të gjithë ata që e njohën nga afër dhe për bashkatdhetarët”, përfundon mesazhi i ngushëllimit për familjen mbretërore nga Presidenti Bamir Topi. LSI: Mbretëria është një periudhë e rëndësishme e historisë kombëtare Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh ngushëllime për ndarje nga jeta të Naltmadhnisë së Tij, Leka Zogu I. LSI vlerëson se “Mbretëria është një periudhë e rëndësishme e historisë kombëtare”. LSI i shpreh ngushëllime familjes mbretërore dhe në veçanti princin Leka Zogu II për këtë humbje. PDIU: Jeta në mërgim nuk ka mposhtur përpjekjet e Leka Zogut I në të mirë të atdheut Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ngushëllon familjen mbretërore dhe të gjithë mbështetësit e saj për humbjen e Naltmadhënisë së Tij, Leka Zogu I. PDIU vlerëson kontributin e familjes mbretërore në konsolidimin dhe zhvillimin e shtetit shqiptar me frymë patriotike, nën drejtimin e Mbretit Zog I, si edhe në përpjekjet e vazhdueshme në të mirë të kombit të të birit, Naltmadhënisë së Tij, Leka Zogu I. Nëpërmjet një deklarate për mediat, PDIU shprehet se, “jeta në mërgim ku është detyruar të jetojë Leka Zogu I nuk ka mposhtur përpjekjet e tij në të mirë të atdheut. Përmes sakrificave dhe luftës së vazhdueshme, ai u kthye në simbolin e rezistencës antikomuniste, gjatë regjimit diktatorial në Shqipëri, duke i dhënë figurës së tij një rëndësi historike. Leka Zogu I, ashtu sikurse edhe i ati i tij, mbante titullin Mbret i Shqiptarëve, duke mishëruar më së miri, idenë e bashkimit kombëtar dhe nevojën e të gjithë shqiptarëve për të qenë të bashkuar. Këto janë arsye të mjaftueshme që familja mbretërore të gëzoj një status të veçantë, sikurse në shumicën e vendeve të botës, çka ende është një detyrë për t’u plotësuar nga qeveria shqiptare”, shprehet PDIU duke ngushëlluar familjen mbretërore dhe në veçanti, princin Leka Zogu II për këtë humbje.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›