E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo 100 ndeshje ne stolin e Realit te Madridit

Një legjendë e fushës pushtoi botën në mesjavë, ndërsa e shtuna do t’i rezervohet një legjende të stolit. Zhoze Murinjo do të mbushë 100 ndeshje në drejtim të Realit të Madridit, pikërisht në stadiumin e Betisit, “Benito Vijamarin”.
Një arritje jo e jashtëzakonshme si shifër takimesh, por krejt e veçantë për ecurinë që portugezi ka pasur në stolin e klubit më të madh të Spanjës dhe të botës.
Murinjo ka fituar 76 ndeshje nga 99, ka barazuar 13 dhe ka humbur vetëm 10, ndonëse 5 prej këtyre disfatave janë pikërisht ndaj rivalit më të madh, Barcelonës, madje me një golaverazh negativ prej 4 golash të shënuar dhe 15 të pësuar, ndërsa i janë shkaktuar edhe 3 eleminime, në Champions, superkupë e kupë.
I cilësuar gjerësisht si trajner mbrojtës, ky njeri që po mbush dalë nga dalë 50 vjeç, ia ka dalë që të shënojë 271 gola  dhe të pësojë vetëm 79.
Ekziston në bilancin e tij një humbje e rëndë, 0-5 në “Kamp Nou”, por edhe shumë fitore të thella, si 8-0 ndaj Levantes, 8-1 ndaj Almerias, 7-0 Malagës, dy herë 6-1 ndaj Deportivos dhe Santanderit si dhe dy fitore të thella jashtë fushe si 6-3 në Valencia e 6-2 në Sevilje.
Po aq sa Murinjo e ka ndihmuar Realin, edhe klubi i madh madrilen e ka ndryshuar trajnerin e shquar. Kjo duket në mesataret e golave, e cila në “Bernabeu” është 2.73 për ndeshje, si asnjëherë më parë në karrierën e Zhozes. 
1.45 gola për ndeshje pati tek Benfika, 1.7 tek Uniao e Leirës, 2 gola për takim në Porto, 1.79 tek Çelsi dhe 1.71 tek Interi. Edhe përqindja e fitoreve të tij është rritur, nga 68.3 para se të vinte tek Reali, në 77 për qind në stolin madrilen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›