Mbrojtësi Shaban Rexhepi flet për përgatitjet e skuadrës

Shkup – Ekspedita e Renovës të dielën kthehet në Tetovë pas një qëndrimi tetë ditor në Ohër. Të shtunën kjo skuadër e zhvillon ndeshjen e fundit përgatitore me ekipin e Ohrid-it, ndërsa mbrojtësi Shaban Rexhep është shprehur i kënaqur me rrjedhën e deritanishme të përgatitjeve me ekipin e tij. "Jemi shumë të kënaqur me kushtet këtu në
Ohër. Kjo është hera e dytë që klubi ynë i zhvillon stërvitjet jashtë Tetovës. Më herët ishim në Dojran, kurse tani në Ohër. Përgatitjet kanë kaluar në mënyrë profesionale, sepse ne kemi një trajner shumë të mirë. Shpresoj se në stinorin pranveror do të arrijmë suksese më të mira sesa ato të vjeshtës", ka pohuar mbrojtësi Rexhepi. Ai thotë se deri tani Renova ka zhvilluar disa ndeshje kontrolluese, prej të cilave janë ndarë të kënaqur me rezultatet dhe angazhimin e bashkëlojtarëve të tij në fushën e lojës.
"Kemi luajtur pesë takime miqësore, ku prej tyre kemi shënuar 2 fitore (Miravcin 3:0, Teteksin 1:0), 2 barazime (Vëllazërimin 1:1, Pelisterin 2:2) dhe një humbje nga Sileksi 3:2. Për ne nuk kanë qenë rezultatet në rend të parë, por loja që do ta krijonte trajneri Kostov për ndeshjet kampionale, sepse ne jemi përforcuar me disa lojtarë të rinj. Kështu që trajnerit më shumë i ka interesuar se si ato lojtarë do të inkorporohen në skuadër", vijoi Rexhepi.
Renova të dielën në mëngjes zhvillon seancën e fundit stërvitore në Ohër dhe pastaj ekspedita e tyre do të kthehet në Tetovë. Miqësorja me Ohrid-in është testi i fundit i trajnerit Vllatko Kostov para fillimit të stinorit pranveror dhe ndeshjes me Bregallnicën. Ndryshe, mbrojtësi Shaban Rexhep para një viti nga skuadra e Bashkimit pat përforcuar Renovën, duke i luajtur pothuajse të gjitha ndeshjet kampionale në fanellën bardhekaltër.
Reshati Ibrahimi