Mbrojtësit e shtetit, mbrojtësit e flamurit
Me 21 janar 2011, një rrugaç i ardhur në demonstratën e dhunshme të organizuar nga Partia Socialiste e flaku si leckë, e përdori si armë, flamurin kombëtar në tentativën për të goditur forcat e policisë së shtetit. Këta të fundit, njëri prej tyre, polici Amarildo Yzeiri e kapi flamurin e përdhosur duke e mbrojtur me trupin e tij, me një gjest sa fisnik aq dhe emblematik që meriton sadopak respekt jo patetik. Shqiptarët kanë derdhur gjak për flamur, që s’është as i gardës, as i policisë, as i ministrisë së brendshme, as i qeverisë, as i ndonjë shtetit perëndimor. Është flamuri kombëtar! Gjesti i atij djali të zakonshëm me uniformë mbetet frymëzues, jo vetëm për nderimin e shenjës së respektit për simbolet që mishërojnë vlerat më të larta e fisnike të një kombit, por dhe sublimin me një gjest të thjeshtë të forcës së mbrojtjes së shtetit të së drejtës dhe lirisë.
Sakaq për asnjë moment nuk duhet të harrojmë se shteti i së drejtës, me një fjalë rendi kushtetues i Republikës së re shqiptare u vendos nën stres goditjesh të dhunshme prej një hordhie barbare të frymëzuar nga premtime dhe përbetime pushteti nga njerëz të opozitës. Se sot s’është nevoja për të futet ushtria të marrë pushtetin me puç. Jo, aspak. Futesh në selinë e kryeministrisë si pa ndodhur gjë, i vë flaken zyrave dhe dokumenteve shtetërore, krijon një imazh destabilizimi dhe frike kolektive të brendshme dhe të jashtme, menjëherë qeveria rrëzohet (do të isha ndër të parë qytetarë që do kërkoja, përderisa kryeministri nuk është në gjendje të mbrojë veten, si mund të më mbrojë mua) zgjidhet një qeveri teknike bashkimi kombëtar, bëhen zgjedhje të reja pas 2-3 muajsh, fiton opozita kuptohet dhe demonstruesit zgjidhen shefa policie, shefa dogane siç ndodhi pas rebelimit të ‘97, e kështu me radhë. Një skenar frymëzues për mendje të dobëta, të gatshme të përfitojnë nga anarkia.
Megjithatë mbrojtësit e shtetit ishin dhe mbrojtësit e flamurit kombëtar. Garda Kombëtare institucioni përgjegjësi për të mbrojtur institucionet kushtetuese dhe zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar, përfshi këtu dhe liderin e opozitës Edi Rama që i quan “garda republikane” për t’i damkosur si pasradanë, si garda republikane e Iranit, kur ata zbatuan vetëm ligjet dhe rregulloret e miratuara të Shtetit Shqiptar. Tejkalimi e shpërpjesëtimi i forcës reaguese është i peshuar nga nenet e ligjit, prandaj ata që kërkojnë “koka turku” mund të reflektojnë mbi dendësinë e dhunës që u ushtrua ndaj forcave të rendit, të mospasjes së një informacioni sekret nga organet e specializuar të shtetit shqiptar, etj.
Gjithashtu dera e kryeministrisë u shpërthye dhe një makinë e vjedhur kushedi se ku u ndalua nga pengesa e hyrjes së KM dhe turma po bëhej gati të hynte ndërtesë, gardistët mbrojtës të institucionit kushtetues shumë të shqetësuar kanë filluar të qëllojnë në ajër për të trembur turmën, ndërkohë që qëlloheshin me gurë e me mjete të forta nga protestuesit. Këtu pastaj plumbat kanë shkuar në drejtim të objekteve aty afër (pemë, beton, etj) dhe fatkeqësisht pastaj kanë goditur edhe njerëz. Po të kishte protestuar në mënyrë civile e paqësore opozita dhe Edi Rama, duke respektuar ligjet e Kushtetutën, po të mos kërkonte pushtetin me dhunë, kjo protestë do shkonte qetë e paqësisht, ashtu si shumë protesta të tjera të PS dhe garda nuk do kishte nevojë të zbatonte rregulloren e të qëllonte në ajër. Kështu që edhe viktima nuk do kishim. Atij që interesonte dhuna, ai është dhe përgjegjësi.
Sido që te jetë në 100 vjetorin e shtetit shqiptar duhet të kujtojmë jo vetëm njerëzit që vunë një tullë në ndërtesën e kombit, por dhe atyre që mbrojtën flamurin, rendin, institucionet kushtetuese dhe zyrtarët e lartë të Republikës me trupin e tyre në një ditë ku dyndja barbare synoi sërish shpërbërjen e shtetit për interesa pushteti dhe karrige.