E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përdorimi i viktimës, precedenti bolshevik i pushtetit

22-01-2012 / Gazeta 55

Dje pamë vënien në zbatim të së njëjtës taktikë bolshevike që zë fill me leninizmin, atë të përdorimit të çfarëdolloj fatkeqësie, për krijimin e një situate revolucionare, e cila mund të shërbejë si shkëndijë për marrjen e pushtetit. Gjithmonë niste si pakënaqësi punëtorësh e me partneritet sindikatash, për të mbërritur te revolucioni i hapur. Edhe pse dje pamë një karikaturë revolucionare, prapëseprapë u kuptua se baza e vetme ideologjike e Edvinit mbetet leninizmi.
Fakti/4 të vrarët e 21 janarit, krijesa e vetme politike e Edi Ramës

Një karikaturë revolucionare ishte nxjerrja dje në bulevardin e Tiranës e ca  njerëzve, në emër të homazheve për katër viktimat e 21 janarit 2011. Ajo karikaturë ishte e pritshme për të gjithë, por jo për Edi Ramën, i cili, midis të tjerave, me siguri ka kuptuar dje, se pas humbjes së bashkisë së Tiranës, nuk mund të mbledhë, të paktën aq sa mblidhte Spartak Ngjela kur protestonte se ai (Edi Rama) i kishte vjedhur votat në garën për kryebashkiak të kryeqytetit.
Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe.
Përballë alternativës së vetme që ofron Edi Rama, e cila nuk është asgjë më shumë se sa keqpërdorimi i çfarëdo lloj fatkeqësie në emër dhe vetëm për nekropolitikë edhe aq sa mblodhi dje kryesocialisti, duhet thënë se ishin shumë.
Ajo çfarë pamë dje, që nga grumbullimi i turmave para selisë së PS-së, shëtitja e tyre përgjatë bulevardit dhe deri stacionimi te salla e Akademisë së Arteve, brenda skenarit të gatuar në kuzhinën e Edi Ramës, ishte karikatura e vënies në zbatim të së njëjtës taktikë bolshevike të themeluar nga Lenini.
Pikërisht këtë taktikë bolshevike nuk mund të mos tentonte ta bënë pikërisht dje “restart” në një “ditë të shënuar” për Edi Ramën, që përkonte as më shumë e as më pak me 88 vjetorin e vdekjes së Leninit.
E si mund ta “përjetësonte” Leninin ndryshe Edi Rama dje, veçse nëpërmjet rikthimit të tij te zanafilla e leninizmit...?!
Për aq sa dihet dhe për aq sa Edi Rama e ka bërë tashmë të tijën teorinë bolshevike (homazhet e djeshme, mjaftueshëm e konfirmojnë këtë), ai (Edi Rama) edhe në keqpërdorimin e dështuar të djeshme të fatkeqësisë së 21 janarit 2011, tentoi (pavarësisht se nuk ia arriti) të krijojë një situate revolucionare, e cila u katandisë në një karikaturë.
Katandisja në karikaturë e tentativës së djeshme për situatë revolucionare, pati atë përfundim, për një arsye të pritshme, sa të thjeshtë, aq edhe bajate.
Edi Rama e ka shpërdoruar këtë “të drejtë” për një situatë revolucionare.
Edi Rama e ka shpërdoruar këtë “të drejtë”, që kur vishej me të zeza, që kur mes sforcove i jepte tonit të zërit të tij nota dhimbje, që kur harxhonte ndoca lule... edhe në homazhet (e ngjashme me ato të djeshmet) për Kosta Trebickën.
E megjithatë, sipas teorisë bolshevike “edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri do të ngrihemi”, Edi Rama sërish dje, në 88 vjetorin e vdekjes së ideologut të kësaj teorie, sërish “u ngrit” e shëtiti me “punëtorë të pakënaqur”, me “sindikata partnere” (këtu nuk bën më pjesë Fiqiri Xibri, i cili mësohet se ka hequr dorë nga sindikatat dhe ka krijuar OJQ-në “21 janari”), me idenë e fshehur në formë dëshire brenda vetes, për të mbërritur te revolucioni i hapur.
Të gjitha këto janë sjellje prej somnambuli të Edi Ramës, i cili ende vazhdon të shohë “ëndrra me sy hapur”.
Por pavarësisht sjelljeve prej somnambuli të Edi Ramës, pavarësisht “ëndrrave me sy hapur” që ai vazhdon të shohë ende, apo edhe pavarësisht kartelës klinike të tij (lexo, javoren “TemA”, e diel-e hënë, datë 17-18 shtator 2000, viti II i botimit, nr. 72), dje megjithëse pamë një karikaturë revolucionare, sërish kuptuam se baza e vetme ideologjike e Edvinit është leninizmi...
Ajo që nuk kuptuam ishte pse dje, në ditën e 88 vjetorit të vdekjes mungonte në homazhe portreti i Leninit...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›