E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrojtja e anglishtes në publik me kosto më të ulët për studentët

08/04/2011  Pas dy javësh gati detajet për testet e TOEFL dhe TOEIC

Për të mos rrezikuar marrjen e diplomës së studimeve master apo të doktoraturës, kandidatët e pranuar në këto programe do të kenë mundësi që të certifikojnë gjuhën angleze sipas standardeve ndërkombëtare të kërkuara. Tashmë mbrojtja e anglishtes do të bëhet në strukturat publike, përkatësisht në Universitetin e Tiranës. Burimet zyrtare të këtij institucioni bëjnë me dije se brenda një periudhe të shkurtër kohore prej dy javësh universiteti do të mundësojë edhe nisjen e procedurave për testimin e anglishtes. Sipas ndryshimeve të bëra në ligjin e arsimit të lartë, kandidatët që kanë vijuar programet master dhe ato doktoraturë gjatë këtij viti akademik do të mund të marrin diplomën e mbylljes së studimeve në fund të programit vetëm pasi të kenë dëshmuar mbrojtjen e gjuhës angleze sipas standardeve ndërkombëtare. Për këtë universiteti i Tiranës, pas marrëveshjes së nënshkruar dhe me agjencinë përkatëse, do të mundësojë për të këta kandidatë testet e TOEFL dhe TOEIC. Aktualisht bëhet me dije se ka nisur puna për shqyrtimin e detajeve rreth testeve që do të duhet të plotësohen për mbrojtjen e gjuhës.

Kundrejt tyre, ekspertët e UT-së pohojnë se do të përzgjidhen ato modele testesh që jo vetëm do të kenë një kosto më të ulët financiare, si dhe shmangien e limiteve në kohë për lëshimin e tyre, duke qenë se tashmë dihet që TOEFLI duhet rinovuar çdo dy vjet.

“Kemi rënë parimisht dakord dhe është një test që do të lëshohet në emrin e ETS dhe të Universitetit të Tiranës, që do të ketë një kosto të reduktuar për studentët shqiptarë. Kjo mund të ketë në thonjëza disa kufizime sa i takon vlefshmërisë në kohë etj., sepse ne të gjithë e dimë që TOEFLI ka një vlefshmëri 2-vjeçare, ndërsa TOEIC ka një vlefshmëri gjatë gjithë jetës. Ne shpresojmë që në një periudhë shumë të shkurtër kohore, mund të jetë dhe dy javë, të përfundojmë fazën përgatitore në mënyrë që t’u jemi të gatshëm kërkesave që kanë studentët e Universitetit të Tiranës”, ka deklaruar kreu i Drejtorisë së Komunikimit në UT, Ervin Demo. Sipas tij, këto teste do t’i ofrojë vetëm ky universitet. Megjithatë, këto dy teste nuk janë të vetmet certifikata që do të njihen për mbrojtjen e gjuhës. Sipas përfaqësuesve të arsimit, do të jenë dhe tri teste të tjera ndërkombëtare, të cilat pritet të bëhen publike. Ndërkohë që duke filluar nga matura e vitit të ardhshëm, gjuha angleze do të përfshihet në skemën e provimeve të detyruara që do të japin nxënësit në mbyllje të studimeve të shkollës së mesme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›