Përmbytet banesa, e pastrehë familja me 11 anëtarë
Gramsh - Ka mbetur në qiell të hapur një familje e përbërë nga 11 anëtarë, 9 prej të cilëve fëmijë, pasi lumi i Linaj ka dalë nga shtrati dhe ka përshkuar tej për tej banesën e tyre në komunën Kukur të rrethit të Gramshit. Kryefamiljari Avni Lazi, bashkëshortja dhe 9 fëmijët e tyre i kërkojnë ndihmë shtetit pasi nga mbrëmja e së dielës ata nuk kanë më asnjë vend se ku të strehohen. Banesa e familjes Lazi është njëra nga 2 banesat të cilat janë dëmtuar tërësisht nga prurjet e lumit Linaj në Kukur të Gramshit, ndërsa stuhia me reshje të dendura dhe erë të fortë gjatë pasdites së të dielës ka përmbytur disa shtëpi, si dhe janë dëmtuar dhjetëra hektarë me të mbjella. Drejtues lokalë thanë për mediat se dëmet janë të mëdha, dhe se vlera materiale e tyre do të përllogaritet në vazhdim. Ai u bëri apel qeverisë për ndihmë, ndërsa hodhi akuza ndaj pushtetit qendror për mos investim në infrastrukturën e kësaj zone dhe rrugët të cilët janë totalisht të amortizuara dhe pa sistem kanalizimesh. Vërshimi i lumit gjatë orëve të pasdites së djeshme bëri totalisht të pakalueshme akset rrugore që lidhnin 14 fshatrat e komunës Kukur si dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale në mjaft banesa dhe në tokat e mbjella.
Gjirokastër
Digjet një banesë karakteristike, në rrezik edhe tjetra
Gjatë orëve të natës të së dielës u përfshi nga flakët një shtëpi karakteristike dykatëshe, e pabanuar, në lagjen Palorto, pranë zonës muzeale në qytetin e Gjirokastrës. Banesa ishte e pabanuar pasi pronari i saj, Ylli Abazi, jetonte në shtëpinë e të moshuarve. Burime nga vendngjarja thanë se flakët kishin qenë të fuqishme dhe se kishin rrezikuar dhe një banesë tjetër ngjitur me të, edhe kjo e pabanuar. Banesa është djegur plotësisht, ndërsa dëme ka pësuar edhe banesa ngjitur me të. Nga hetime rezulton se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, por nuk përjashtohet zjarrvënia e qëllimshme nga persona të tjerë.
Vlore
Fluksi, mbi 4.000 emigrantë drejt Italisë gjatë 2 ditëve
Gjatë dy ditëve të fundit kanë udhëtuar drejt Italisë me tragetet e linjës Vlorë-Brindizi mbi 4.000 emigrantë dhe afro 1000 automjete. Drejtuesit e Portit thanë se si rezultat i masave gjatë këtyre ditëve janë shmangur radhët e gjata, duke krijuar kushte normale për imbarkimin e udhëtarëve në tragete. Pak ditë më parë, pas disa problemeve që u krijuan në mjediset e portit për shkak të pranisë së një numri të madh udhëtarësh mbi kapacitetet e trageteve, policia nisi një hetim ndaj agjencive të udhëtimit, të cilat dyshohet se kanë prerë bileta më shumë se parashikimi.
Kavajë
Bashkëpunuan për të vjedhur, zbulohen nga policia
Një 26-vjeçar përfundoi në qeli ndërsa dy shokët e tij u shpallën në kërkim nga policia pasi vodhën dy dele. Efektivat e Komisariatit të Policisë së Kavajës arrestuan dy ditë më parë 26-vjeçarin Çelnik Fasho, lindur në fshatin Kakaç dhe banues në fshatin Pirg, Korçë. Burime nga policia thanë për gazetën “Albania” se i riu në bashkëpunim dhe me dy shtetas të tjerë, kanë vjedhur në fshatin Aganas, komuna Golem Kavajë, dy bagëti, pronë e një shtetasi, banues po në këtë fshat. Dy bashkëpunëtorët e tij janë identifikuar nga policia, është bërë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre.
Durrës
Udhëtonte pa patentë, braktis edhe të aksedentuarin
Është vetëm 16 vjeç, por kaq duket se i ka mjaftuar për të drejtuar një makinë pa patentë, madje të shkaktojë edhe një aksident me pasojë plagosjen e një personi. Burime policore thanë se L. M., banues në Durrës, dyshohet të jetë autor i aksidentit në rrugën “Taulantia” të këtij qyteti, me mjetin që drejtonte tip “Golf” pa targa. Bëhet e ditur se si pasojë e këtij aksidenti u plagos 13-vjeçari me iniciale L. D., lindur dhe banues në Durrës. Drejtuesi i mjetit pasi ka bërë aksidentin është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas aksidentit, i dëmtuari është dërguar në spitalin e Durrësit dhe është jashtë rrezikut për jetën.
1 Shtator 2009