Salihi, te Rapidi i Vjenës
Leonard Karaj
Salihi është përfundimisht një futbollist i Rapidit të Vjenës. Shkodrani ka firmosur dje “in extremis” një kontratë 3-vjeçare, teksa SV Ried ka përfituar nga shitja 1.5 mln euro.
Atëherë kur edhe vetë futbollisti kishte humbur të gjitha shpresat se do të kalonte tek një ekip tjetër, gjatë kësaj vere erdhi edhe oferta fitimprurëse e vienezëve. Trajneri i Rapidit Pakult, një ish-kandidat edhe për pankinën e ekipit tonë përfaqësues ka kërkuar urgjentisht shërbimet e futbollistit shqiptar, kjo pasi Rapidi shiti në Premier League te Volves, sulmuesin e saj kryesor, Stefan Meinhoffer. Ndërkohë i kontaktuar me telefon nga gazeta “Panorama” Salihi është shprehur mjaft i kënaqur për arritjen e kësaj tratative. “Më duket si një ëndërr. Më mirë mos më zgjoni”, pohon sulmuesi shqiptar, i cili shënoi 14 gola gjatë sezonit të kaluar me Riedin. Më tej Salihi ka treguar edhe përvijimin e tratativës deri tek firma me Rapidin. “Kisha mbledhur mendjen për këtë sezon se nuk do të lëvizja nga ky ekip. Kjo për faktin se pata shumë oferta që në fund pastaj dështonin pasi klubi kërkonte shumë para për kartonin tim. Ndaj kur sot (dje) përvijuan tratativat mendova se do të ishte e njëjta gjë por kur më thanë që do të firmosja u gëzova jashtë mase”, ka pohuar Salihi. Rapidi i Vjenës është një skuadër elitare e futbollist austriak. Aktualisht ajo merr pjesë në Europa League dhe këtu është për t’u theksuar fakti se Salihi do të jetë i vetmi futbollist shqiptar që merr pjesë këtë sezon në një kompeticion të tillë. Rapidi është në grupin C së bashku me Hamburg, Hapoel Tel-Aviv dhe Sëlltikun, tre skuadra këto mjaft të forta. Kjo është skuadra e pestë e Hamdi Salihit në karrierën e tij pas Vllaznisë, Panionios (Greqi), Tiranës dhe Riedit. Futbollisti është grumbulluar nga trajneri i ekipit përfaqësues Josip Kuzhe për ndeshjen e 9 shtatorit ndaj Danimarkës dhe sipas të gjitha gjasave do të luajë që nga minuta e parë.
“Bilbila” turq edhe në Shqipëri-Danimarkë
Tridhjetë e dy vjeçari Cuneyt Çakir do të jetë gjyqtari kryesor i ndeshjes Shqipëri-Danimarkë, takim ky që do të luhet në stadiumin “Qemal Stafa” më 9 shtator. Çakir konsiderohet si gjyqtar i kategorisë së dytë të FIFA-s por që falë arbitrimeve korrekte është përzgjedhur edhe për ndeshje të kualifikimeve të botërorit 2010. Deri tani ai ka gjykuar vetëm takime të skuadrave U-21 dhe në kampionatin turk të futbollit. Ndihmsa të tij për këtë takim do të jenë dy bashëpatriotët e tij, Bahattin Duran dhe Tarik Ongun. Arbitër i katërt do të jetë Halis Ozkahya ndërsa vëzhgues do të jetë italiani, Danilo Filakione.
Zyrtare/ Xhemaili kalon te ekipi i Parmës
Blerim Xhemaili është zyrtarisht një futbollist i Parmës. Lajmi është konfirmuar dje nga mediat italiane. Futbollisti shqiptar që luan për hesap të kombëtares zvicerane ka kërkuar me ngulm q ëtë luajnë në Serie A pas rënies së Torinos në Serie B. Kjo për faktin se atij i ishte dhënë një ultimatum nga trajneri i përfaqësueses zvicerane Otmar Hitcfeld se nëse nuk luante në kategori të parë nuk do të grumbullohej në kombëtare. Xhemaili ka shkuar te Parma në formë huazimi duke u shkëmbyer me mesfushorin parmez, Vantaxhiato. Ndërkohë Parma ka marrë edhe të drejtën e blerjen së kartonit të tij sezonin tjetër.