E Diel, 1 Nëntor 2026

"Gjuhët evropiane" për herë të parë në Shqipëri

"Atlasi Dialektologjik i Gjuhës Shqipe". Ky botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, hartuar nga një grup autorësh J. Gjinari, B. Beci, Gj. Shkurtaj, Xh. Gosturani, u prezantua gjatë punimeve të Konferencës së 41-të të ALE-së (Atlas Linguarum Europae=Atlasi i Gjuhëve të Evropës). Kjo është një veprimtari shkencore ndërkombëtare, e organizuar në kuadrin e studimeve gjuhësore për gjuhët e Evropës, me mbështetjen e UNESCO-s dhe me kujdesin e Komitetit Kombëtar të ALE-së pranë Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë. Për herë të parë ajo zhvillohet edhe në Shqipëri, në qytetin e Durrësit. Shqipëria i është bashkuar që në fillim kësaj veprimtarie shkencore evropiane dhe ka krijuar komitetin e vet kombëtar për t‘iu përgjigjur kërkesave që burojnë nga pjesëmarrja në të. Nën drejtimin e këtij Komiteti kombëtar janë kryer kërkime të posaçme dialektologjike, janë ndërmarrë anketimet në 10 pika të banuara të territorit të Republikës së Shqipërisë, dhe është mbledhur e shkencorizuar lënda, sipas kritereve shkencore të caktuara për plotësimin e skedave të ALE-së. Janë dhënë edhe shpjegime e komente të karakterit etimologjik dhe për vlerat fonetike e morfosintaksore të fjalëve të parashikuara për t‘u hartografuar në ALE, duke marrë pjesë në mbledhjet për hartimin e diskutimin e hartave të vëllimeve të ALE-së, nga të cilat deri tani janë botuar rregullisht shtatë vëllime.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›