Mbrojtja e gjuhëve, radhë në fakultetin e Tiranës
zirina llambro
Radhë për mbrojtjen e gjuhëve të huaja në fakultetin e Tiranës. Brenda 3 ditëve janë plotësuar 100 vendet tek anglishtja dhe drejt përfundimit janë edhe për gjuhën italiane. Ndonëse nga departamenti i mbrojtjes së gjuhëve, afati i regjistrimit për të dalë para komisionit, është caktuar data 1 deri në datë 15 të çdo muaji, dje thuajse ishin zënë të gjitha vendet. Ata më të mirinformuarit kishin zënë radhën që në 7 e gjysmë të mëngjesit, ndërsa rreth orës 9:00 ishte e pamundur, që të kishe ndonjë shans për të kryer procesin e regjistrimit. Sipas sekretareve, fluksi i kërkesave ka nisur që muajin e kaluar, ndërsa nëntori ka qenë gati i papërballueshëm”. Sidomos për anglishten, italishten e deri diku edhe gjermanishten, kërkesat kanë qenë goxha të larta. Më pak të kërkuara janë gjuhët e tjera”, tha njëra prej sekretareve. Ajo sqaroi se pjesa më e madhe e personave, që regjistrohen për të mbrojtur gjuhën janë studentë, por nuk mungojnë edhe të punësuarit në shtet e privat. Sa i përket gjuhëve të tilla si rusishtja apo turqishtja regjistrimet nuk plotësohen asnjëherë. Sipas rregullave të vendosura nga departamenti përkatës në Fakultetin e gjuhëve të huaja, për të marrë certifikatën duhet të kalosh dy prova. I pari është testi i gramatikës me shkrim, ndërsa faza e dytë është dalja para komisionit ku referon me gojë. Në bazë të këtyre dy komponentëve, vendoset nota përfundimtare. Por çdo muaj këtë procedurë nuk mund të kryejnë më shumë se 100 persona për çdo gjuhë. “Regjistrimet mbyllen pasi numri i kandidatëve arrin 100 vetë”, thuhet në njoftimin e afishuar të departamentit të gjuhëve. Ky proces nuk mund të kryhet nëse pranë sekretarisë i interesuari nuk dorëzon mandat pagesën prej 3 000 lekësh, një certifikatë dhe fotokopje të diplomës (për ata që kanë mbaruar arsimin e lartë. Veç tyre duhen edhe dy fotografi personale. Pas regjistrimit, deri në datë 15 të çdo muaji, para komisionit kandidatët dalin çdo datë 25 të tij. Certifikatat përkatëse tërhiqen muajin që vjen. Kjo dëshmi njihet zyrtarisht nga shteti dhe nga privati.
Dokumentet
Certifikatë personale
Mandat pagese prej 3000 lekësh në bankë
Fotokopje diplome (për të diplomuarit)
Vërtetim të punës apo shkollës që ndjek (për ata që s’kanë diplomë)