E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mocioni, Berisha shmang Fazlliçin

 

BLEDAR HOTI

Kryeministri Sali Berisha në diskutimin supermaratonë në Kuvend nuk e përmend asnjëherë emrin e biznesmenit Damir Fazlliç. Për rreth dy orë, kryeministri i është shmangur përmendjes së emrit të Fazlliçit dhe është përqendruar në fjalimin e tij në arritjen e qeverisë për procesin e integrimit euroatlantik. E gjithë maxhoranca, deputetët, ministrat janë fokusuar në arritjet e qeverisë dhe në ndryshimet e realizuara gjatë këtyre viteve, duke krahasuar dhe ato të qeverisjet socialiste.
Kryeministri
Kryeministri në fjalimin e tij sulmoi ashpër veprimet e liderit të PS-së, Edi Rama, duke u shprehur se mocioni vjen si rezultat i arritjeve historike të arritura gjatë këtyre tre viteve qeverisje. “Ky mocion fakton se shoku Rama e ka zhytur këtë opozitë në universitetin e boshit, në batakun e marrëzive, bllofeve, retorikës së trillimeve, mashtrimeve, falsifikimeve si asnjë opozitë tjetër e këtij kontinenti”, deklaroi Berisha. Për kryeministrin opozita nuk afron alternativë, ku PS-ja ka sulmuar dhe ka organizuar mitingje në momente kyçe të historisë së Shqipërisë, si ftesa e NATO-s, MSA-ja me BE-në dhe akti i firmosjes së protokollit të anëtarësimit të NATO-s nga Presidenti amerikan Xhorxh Bush. “Shoku Edi Rama, i verbuar nga ky akt madhor historik, nuk gjeti dot frymën, kurajon ta përshëndeste personalisht Presidentin Bush, në të kundërtën censuroi tërësisht lajmin në fletushkën e tij, për të dëshmuar veten bir lideri i atit të tij shpirtëror, ditëlindjen e të cilit e festoi duke i shërbyer dhe servirur shqiptarëve bombën e salltaneteve të Hitlerit, Evropës së pasluftës sipas arkivave të KGB-së të Stalinit për Shqipërinë”, deklaroi Berisha. Kryeministri është përqendruar në fjalimin e tij në punën e kryer nga qeveria në reformat e ndërmarra, por edhe në atë që e cilësoi si ndryshim i imazhit të Shqipërisë. “Tre vjet më parë Shqipëria ishte protektorat i vërtetë i krimit të organizuar. Tirana dhe veriu i saj kontrollohej nga Nehat Kulla, Durrësi nga klani i Zemunit, që edhe sot u bën rreshtore te të gjithë eksponentët e opozitës. Këta janë të përçarë njëri me tjetrin, por kur vjen puna tek Arrogosta përkulen të gjithë bashkërisht, sepse Zemuni ka arkivat e tyre. Dhe nuk dini ju se si lëpihen dhe përpihen klani i Zemunit, shefit suprem të opozitës shqiptare”, deklaroi kreu i maxhorancës. Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi hodhi poshtë pretendimet e opozitës për shkresën se i ka dërguar të birit të kryeministrit. “Këto janë shpifje dhe vijnë nga parti që nuk ka të një fizionomi politike.  E djathta shqiptare ka një identitet të sajin, ne kemi përballë një frankenstajn politik, i cili të kujton Enver Hoxhën me shprehjen që thotë se jemi përtej së majtës dhe së djathtës. E majta s’ka asnjë vlerë politike”, theksoi Bumçi. Ndërsa Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha në sulmet ndaj kryesocialistit Rama theksoi se “janë ndërtimet të cilat paguajnë dhe financojnë kontratën 10-vjeçare që ju keni me një nga konsulentët më të shtrenjtë dhe më të famshëm në botën e shpifjeve dhe propagandës, nëpërmjet taksave dhe gjobave të fshehta dhe gjysmë të fshehta që kryetari i partisë suaj i ka për zemër dhe me të cilat arriti të blinte për fatin tuaj të keq kreun e partisë që sot kryeson”.

batutat ne parlament

Berisha- Ruçi
Berisha: E ke zgjidhur çështjen e gjakut me Fatos Nanon. Nano e ka akuzuar se ka dashur ta vrasë, tani e ke qartësuar këtë problem apo jo? E ka akuzuar, apo ja sharroi makinës aksin?
Ruçi: Më vjen keq që në debatin me grupin e PS e zë vendin një ministër që nuk është deputet dhe s’ka punë me këtë debat. Përsa i përket pyetjes, je i shqetësuar për atë që më ka thënë Nano, s’është e vërtetë që më ka akuzuar. Ty që të ka akuzuar një Tropojë e gjithë, kur do shkosh në Tropojë dhe kur do të falësh gjakun e tyre? Kaq.
Berisha- Basha- Blushi
Berisha: Forma më e shëmtuar e vjedhësit është ai që vjedh të vdekurit. Zotëria ka vjedhur dorëshkrimet e vjedhësit të tij. Është hajdut kontinental. Nuk ia dini historinë siç ja di unë këtij. E ka mbajtur katër vjeç me dorë allci sepse kishte fatkeqësi dhe nuk u bë kurrë... është hajdut kontinental.
Basha: Populli ynë ka një fjalë të urtë, dy të ngrëna nuk të bëjnë keq, por dy dajakë të bëjnë keq. Mesa duket është koha për zotin Blushi në këtë kohë të shkurtër të marrë dhe dajakun e dytë, jo nga unë dhe jo personalisht. Blushi si gjithmonë jo korrekt dhe i painformuar, tre degët më të mëdha të ekonomisë shqiptare janë telefonia celulare, energjia elektrike dhe ndërtimet.
Blushi: Në këto 6 muaj kam dhënë shumë autografe, edhe pionerë dhe fatosa. Po të kisha dhënë ty një autograf e di çdo të thoja Lul, është më mirë të lexosh se të recitosh. Besoj se do ta jap ndonjë ditë kur të jeni vetëm.
Berisha-Xhufit:
Si historian duhet të mos harrojë se ky vend është në interesin tënd, mos i bëj gjërat lesh e li se ke parti të atillë. Se keni mbushur muret e të gjithë Shqipërisë me atë, se rrugët nuk mund të mbushen lesh e li. Nuk e di me kë je ti, me NATO-n apo me republikën e shtatë, apo me gjyshen e nënkryetares së PS-së. Nuk mund t’i vendosësh gjërat në atë mënyrë, republika shtatë është një histori e Enver Hoxhës. Nuk shava nga gjyshet, se nënkryetarja juaj thoshte se gjyshja ime nuk ka lidhje me NATO-n.
Berisha-Islamit:
Parafolësi bëri një çarje hallesh, në stilin e një intigranti të vogël. Të flasim haptas, këta deputetë socialistë janë të përjashtuar, këta shohin nga mëngjesi deri në darkë shohin për listën. Unë i kuptoj këta, mblidhuni ju o të përjashtuar. Shqetësimet tuaja haluçinante, ti je njeri që je marrë me zgjedhjet, ky njeri që është kryeministër ka fituar në çdo zgjedhje, në Kashar doli i katërti. Sot po shihja mediat, 1300 të pyetur, 63% e tyre thonin se politika e re e Edi Ramës është Gramoz Ruçi. Po a i besohet Gramozit që desh të vrasë kryetarin e partisë. Pse nuk ju nxjerr kryetari në televizione, a i dëgjuat përfaqësuesit e kryetarit, Erjoni dhe Erjonka thanë s’kemi punë me ata.
Berisha-Bellos:
Do verifikohen të gjitha titujt e pronësisë, do t’ju zhveshim të gjithëve titujve të pronësisë. Është e drejta jote ta cilësosh fakir klanin e Zemunit. Në lokal “Arrgosta” nuk të kam çuar unë ty, kanë çuar ato gjërat e tjera që keni ju.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›