E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF acarohet me Ari Han për Mavrajn e Sadrijan

 

Jetmir Halilaj

Vëmendja e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit është përqendruar te dy të rinjtë kosovarë, Mërgim Mavraj dhe Bajram Sadrijaj që luajnë në Bundesligë. Drejtuesit e institucionit të futbollit shqiptar dëshirojnë që ata të bëhen pjesë e ekipit tonë Kombëtar, por kanë hasur në indiferentizmin e trajnerit të përfaqësueses Ari Han, i cili duket i pavendosur për t’i thirrur lojtarët në skuadrën kuqezi. FSHF nuk mund të ndërhyjë dot direkt te tekniku, ndonëse tërthorazi i ka vënë në dukje teknikut se do të ishte mirë që këta dy lojtarë të fitoheshin. Ky i fundit, gjithsesi nuk ka treguar asnjë shenjë aprovimi dhe kjo ka shkaktuar pakënaqësi në Federatë. Qendërmbrojtësi Mërgim Mavraj mund t’i shërbejë shumë Shqipërisë, pasi skuadra kuqezi ka nevojë për një qendërmbrojtës të mirëfilltë dhe 22-vjeçari mund të ishte një alternativë e mirë për prapavijën e skuadrës tonë. Lojtari ka shprehur publikisht dëshirën për të luajtur me Shqipërinë, por kërkoi garanci nga tekniku Han se do të grumbullohet me skuadrën e parë, gjë të cilën tekniku nuk e ka bërë deri tani. Ndërkaq, mesfushori i avancuar i Borusias së Dortmundit, ndonëse luan pak te skuadra e parë gjermane, mbetet një alternativë e mirë në repartin qendror. Trajneri Han ka pohuar se lojtari ka cilësi të mira, por nuk luan rregullisht te skuadra e tij dhe kjo përbën një problem. Federata Shqiptare e Futbollit synon që këta lojtarë të mund të aktivizohen në ndeshjen miqësore kundër Azerbajxhanit, qoftë edhe pesë minuta, me qëllim që ata të fitohen si lojtarë dhe të mos kenë më mundësi të luajnë me ekipe të tjera. Qendërmbrojtësi Mërgim Mavraj mund të ishte pjesë e kuqezinjve tani, nëse trajneri Bariç do ta kishte qoftë edhe një minutë në ndonjë ndeshje zyrtare. Ish-tekniku i Shqipërisë, megjithëse kërkoi që lojtari të pajisej me pasaportë shqiptare (dëshirë që iu plotësua në fund të shtatorit të vitit 2006), nuk e ftoi asnjëherë futbollistin në skuadrën e parë, gjë që ngjalli pakënaqësi te lojtari. Tani gjithçka është në dorë të teknikut holandez, i cili, ndryshe nga Federata, duket se nuk është edhe aq i fokusuar në këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›