Ngjela: Topit i ka ardhur rasti të mbrojë shtetin e vet
Deputeti i pavarur, Spartak Ngjela tha dje se presidentit Topi i ka ardhur rasti të mbrojë shtetin, duke akuzuar në të njëjtën kohë hapur Kryeministrin Berisha, për lidhjet e tij me biznesmenin Damir Fazlliç. Duke folur në parlament, ish-deputeti demokrat tha se kreu i shtetit duhet të tregohet i qartë në këtë momente dhe ta çojë deri në fund çështjen e zbardhjes së skandalit të Fazlliçit. “Prokuroria le ta hetojë si të dojë dhe të vazhdojë. Zoti president të ka ardhur rasti të mbrosh shtetin tënd, mbroje, sepse për të guxuar në një situatë si kjo duhen burra. A kemi apo s’kemi burra? Zoti president tregoju i qartë dhe çoje deri në fund këtë çështje, të tjerët të vijnë nga mbrapa”, u shpreh Ngjela. Avokat Ngjela akuzoi ashpër kreun e qeverisë shqiptare, duke iu referuar një mbledhje të ministrave kryesorë të qeverisë, të cilët raportin para këshilltarit të Kryeministrit Tom Ridge, në krah të të cilit ishte Damir Fazlliç. “Ku e gjen të drejtën një kryeministër që të ftojë në një mbledhje të sigurisë kombëtare një të huaj të dyshimtë që vjen nga rangjet e një vendi kundërshtar prej të paktën 100 vjetësh, siç ka qenë politika e Beogradit zyrtar për ne?”, u shpreh më tej Ngjela. Deputeti i pavarur i bëri thirrje kreut të qeverisë të flasë hapur lidhur me këtë çështje dhe jo të nxjerrë ministrat, të cilët sipas tij flasin për çështje që nuk kanë të bëjnë fare me debatin. “Dilni dhe tregojini popullit, mbani apo s’mbani përgjegjësi, pse ka pasur mik një njeri i cili nuk do të dalë edhe kundër Shqipërisë nesër. Ç’më duhen të tjerat. Dil thuaj popullit shqiptar që s’kam përgjegjësi, dil e thuaj që kurrë se kam bërë me vetëdije. Por ama thuaj diçka. Jo më fshihesh si struci këtu. Më del, njëri flet për rrugët, tjetri flet për shportat, një për peshkun, njëri flet për arsimin, tjetri për krimbat. Ç’na duhen ne këto mo. Këtu flitet vetëm për atë që thashë unë. Do të kishte vrarë veten një kryeministër në Evropën perëndimore nëse një agjent sovjetik i kishte hyrë në shtabin e përgjithshëm nëse do tradhtonte atdheun e vet”, u shpreh Ngjela. Ai i renditi edhe disa pyetje prokurorisë për arrestimin e Fazllic dhe pengimin nga ana e kryeministrit të hetimeve për Gërdecin.