E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Berisha i kapur, të largohet

 

Aristir Lumezi

PS i kërkon kryeministrit dhënien e dorëheqjes, si shkak i implikimit të çështjes Fazlliç. Pas një debati që ka zgjatur deri në ora 02:00, kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj kërkoi largimin e kryeministrit, pasi “ai është i kapur nga krimi i organizuar dhe ka shpërfillur interesat e vendit, duke përfillur interesat e biznesmenit Fazlliç”. “Ju e keni bërë zgjedhjen tuaj, prandaj ju duhet të largoheni nga qeverisja. Skandali Fazlliç është më i rëndi i historisë shqiptare, pasi u trondit shteti shqiptar”, deklaroi Leskaj. Ajo u shpreh se “Berisha nuk i dha përgjigje pyetjeve të opozitës në lidhje me çështjen Fazlliç”. “Ju nuk keni kohë të qeverisni sepse po merreni me skandale që ju pasojnë njëri pas tjetrit. Ju jeni i varur pas Fazlliç, prandaj ju nuk duhet të jeni kryeministër. Maxhoranca nuk mund të ketë një kryeministër si njeri të kapur”, theksoi Leskaj. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, e cilësoi çështjen Fazlliç një kapje të pastër të shtetit nga ana e kryeministrit. “Është kapje e shtetit për sa kohë që kryeministri vë në shërbim të tij institucionet e shtetit dhe Qeveria merr vendime në favor të biznesit të tij (si ngritja e parkut energjetik), kur familjarë të kryeministrit dhe ministrave rezultojnë të lidhur direkt në afera biznesi me të. Është kapje, e shtetit, kur për shkak të tij kryeministri vë nën presion institucionet e pavarura, duke kërkuar deri edhe hetim ndaj prokurorisë”, tha Leskaj.
Blushi
Deputeti Ben Blushi, nisur nga çështja Fazlliç, u mundua të zbërthente mekanizmin se si funksionon varësia dhe kontrolli i kryeministrit ndaj aferave korruptive në vend. Blushi akuzoi Berishën se kontrollon 3 bizneset më fitimprurëse në Shqipëri. Sipas tij, biznesi me armët, me ilaçet dhe me tokat janë bizneset më fitimprurëse. “Kush merret me armët? Merret djali i kryeministrit, dhe u provua në Gërdec! Kush merret me ilaçet? Merret mbesa e kryeministrit, pasi është drejtoreshë zyrtare e industrisë së ilaçeve. Kush merret me tokat? Merret dhëndri i kryeministrit, është drejtor legal i emëruar nga vjehrri i vet si administrator i tokave  në bregdet”, tha Blushi. Deputeti socialist akuzoi Kryeministrin Berisha se ftoi Fazlliçin pas 2005 për të vjedhur Shqipërinë. Ai tha se në fakt Damir Fazlliç nuk është pronar i bizneseve të tij. “Damiri lidhi kontratë legale me pronarët e bizneseve të veta. Damir Fazlliç nuk është pronar i bizneseve për të cilat akuzohet, pronarët janë këtu prapa, Damiri është kontraktor. Po u marr një rast për t’ua provuar. Në përgjithësi e kanë stil këta, që kontraktojnë në mënyrë legale ata të cilëve u japin biznes. Kështu ndodhi dhe në Gërdec. Ai ishte aty për të si kontraktor, për të provuar se pala tjetër në biznes nuk i vidhte fishekët që shiste djali i kryeministrit dhe vetë kryeministri. Prandaj vdiq i ziu! Dhe kunati i Lulëzim Bashës në fakt ka më shumë fat, se nuk po vdes, ndërkohë që ai i Gërdecit vdiq! Nuk ja uroj këtë fat, po ky është fakt”, tha Blushi. Sipas tij, Berisha duhej të ishte arrestuar për akuzat që ngrihen ndaj tij. “Kemi ne shumë probleme në fakt si vend dhe nuk është momenti për të krahasuar Shqipërinë me Bosnjën, por Bosnja është përpara nesh, sepse Damir Fazlliçin e ka arrestuar, ne akoma e mbajmë në qeveri”, tha Blushi. Ndërsa deputeti Gramoz Ruçi, njëkohësisht Kryetari i Asamblesë Kombëtare Socialiste, kërkoi miratimin e një rezolute në fund të këtij interpelance. Ruçi akuzoi Kryeministrin Berisha se përsëri e fshehu krimin. “Kërkuam me insistim të vinte Sali Berisha në këtë sallë e të jepte sqarime për mikun e tij Fazlliç, jo se nuk i dinim bëmat e tyre, por se është gjithmonë e udhës që të pandehurve u duhet dhënë e drejta për të folur veçanërisht, kur ata janë me imunitet kryeministror. Kryeministri këtu nuk foli, kryeministri ynë nuk shkon në prokurori, sepse ka frikë. Sali Berisha sot injoroi publikun shqiptar, ka injoruar gjithmonë ligjin dhe gjykatat duke u fshehur pas imunitetit politik”, tha Ruçi. Sipas tij, me urdhër të Berishës, në vend që policia të ndalonte Fazlliçin ndaloi prokurorinë, duke e cilësuar këtë një krim edhe më të rëndë se krimet që mund të ketë bërë Fazlliçi.

Xhufi: Fazlliç na bëri republikë të shtatë të krimit
Nënkryetari i LSI-së Pëllumb Xhufi akuzoi Kryeministrin Berisha si përgjegjësin për sfidën që Fazlliçi i bëri shtetit dhe gjithë shqiptarëve. “Ishte një sfidë për t’i treguar shqiptarëve se nëse nuk u bënë Republikë e Shtatë e Jugosllavisë, këta do ta bëjnë republikë të krimit”, tha Xhufi. Sipas tij, Damir Fazlliç është pjesë e shërbimeve sekrete serbe. Xhufi tha se zbardhja e tragjedisë së Gërdecit do të zbardhë shumë fije korruptive në këtë vend. “Fija Fazlliç është shumë e hollë në lëmshin e ngatërruar të korrupsionit në Shqipëri që lidhet me çështjen e Gërdecit. Ajo duhet zbardhur pasi ka krijuar vrasje dhe nuk dimë se ç’mund të krijojë në të ardhmen”, tha Xhufi. 

Zogaj: Kemi korrupsionin e antikorrupsionit
Deputeti i PD-së Preç Zogaj tha dje në parlament se korrupsioni është ende një problem i madh. “Kemi fenomenin e korrupsionit të antikorrupsionit. Domethënë individë e subjekte kapen në gabime për t’u diktuar pagesën për mbylljen e çështjeve dhe jo për të bërë drejtësi. Ky është problem i madh sepse helmohet edhe medikamenti, siç thuhet”, theksoi deputeti demokrat. Sipas tij “Sot debati është me kryeministrin. Zoti kryeministër, në momente të vështira ke pasur rreth e rrotull njerëz që të kanë këshilluar apo të kanë joshur të ndjekësh përballjen, deri konfrontimin”. Zogaj tha se një tjetër problem i kësaj maxhorance ka të bëjë me ushtrimin e pushtetit. Ai tha se ka zona ku pushteti as nuk delegohet as nuk kontrollohet, zona në të cilat sipas tij ka abuzim.

Olldashi: Rama, korrupsion në Tiranë
Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi akuzoi dje kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama për favorizim të një rrethi të caktuar njerëzish dhe korrupsion me lejet e ndërtimit. “Shqiptarët kanë nevojë për disa përgjigje, kanë nevojë të dinë përgjigjen për deklaratën publike të një ndërtuesi të quajtur Hajredin Fratari, i cili ka akuzuar kryetarin e partisë tuaj se i ka kërkuar 1 milion USD për një leje ndërtimi. Kanë nevojë të dinë për deklaratën e një tjetër ndërtuesi të quajtur Dod Doçi, i cili e ka akuzuar publikisht kryetarin tuaj se i ka kërkuar para për një leje ndërtimi”, tha Olldashi. Sipas tij “shqiptarët kanë nevojë për përgjigje se pse, si, qysh u dha leja e ndërtimit për Dash Pezën mbi një rrugë të Tiranës, kanë nevojë për përgjigje se si ka mundësi që tenderin e pllakave të bulevardit e fitoi Dash Peza dy ditë pasi kishte krijuar firmën për prodhimin e pllakave”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›