E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrojtja e titullit, e vështirë

Vicente del Bosque është i vetëdijshëm se Spanja do ta ketë të vështirë t’i vazhdojë sukseset e fundit në Euro 2008 e Botërorin 2010. Selektori i ‘Stuhisë së Kuqe’ thotë se në Euro 2012 do të ketë kundërshtarë të fortë si Anglia, Gjermania, Italia e Franca. Kështu që ai mendon se spanjollët nuk do ta kenë aspak të lehtë ta mbrojnë titullin e Evropës, të fituar katër vjet më parë.

Selektori i Spanjës, Vicente del Bosque, insiston se ekipi i tij nuk do të ketë punë të lehtë në Euro 2012, për t’i përsëritur sukseset që i arriti në Euro 2008 dhe në Botërorin 2010.

‘Stuhia e Kuqe’ e kompletoi fazën kualifikuese me fitore ndaj Skocisë në Alicante me rezultat 3:1 në Grupin I, duke ua shuar skocezëve shpresat për një vend në play-off. Del Bosque brengoset se spanjollët do ta kenë mjaft të vështirë ta fitojnë titullin e dytë rresht evropian.

“Kemi rivalë mjaft të fortë si Anglia, Gjermania, Italia, Franca... Do të ketë kundërshtarë të papërshtatshëm në Evropian, kështu që nuk do ta kemi lehtë. Ta fitojmë një eveniment si ky do të jetë mjaft e vështirë”, deklaroi trajneri spanjoll pas ndeshjes ndaj Skocisë.

Dy golat e David Silvas në pjesën e parë ua siguruan fitoren spanjollëve në Estadio Jose Rico Perez, ndërsa David Villa e shënoi golin e tretë në minutën e 54-t, para se zëvendësuesi skocez David Goodwillie ta shënonte golin e nderit për mysafirët. Del Bosque e ka analizuar edhe rrjedhën e kësaj loje.

“Pjesa e parë sonte ishte e organizuar, por kishim më shumë raste në pjesën e dytë. Skocia është përmirësuar nga loja e parë në Hampden, është më stabile. I shikova ata në Lihtenshtajn dhe ishin mjaft të mirë”, shtoi ish trajneri i Real Madridit.

Skocisë i nevojitej ta mposhtte Spanjën për ta siguruar një vend në play-off, i cili tashmë është në dorën e Republikës së Çekisë, e cila fitoi bindshëm ndaj Lituanisë, 4:1. Skocezët nuk janë kualifikuar në një eveniment të rëndësishëm që nga viti 1998, kur patën marrë pjesë në Botërorin e Francës.

Spanja gjendej në Grupin I së bashku me Republikën Çeke, Skocinë, Lituaninë dhe Lihtenshtajnin. Kampioni aktual evropian e mbylli këtë fazë në pozitën e parë më 24 pikë të grumbulluara, 11 më shumë se Republika Çeke.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›