E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia e Shkodres i kuston bashkise se qytetit rreth 40 milione leke

Mund të quhet kjo një risi e vërtetë, më e madhja në futbollin shqiptar të klubeve. Bashkia e Shkodrës ka treguar xhepat duke zbardhur për mediat dhe publikun borderonë e rrogave të lojtarëve dhe stafit teknik, si dhe shpenzimet për mbajtjen e klubit të futbollit.

Në raportin e nxjerrë nga bashkia e qytetit veriperëndimor të Shqipërisë del se lojtari më i paguar tek kuqeblutë është sulmuesi Xhevahir Sukaj, që përfiton një rrogë mujore prej 2 500 eurosh. Pas tij, vijnë dy malazezë, portieri Vujadinoviç me rrogë mujore 2 200 euro dhe mbrojtësi Popoviç që përfiton 2 000.

Simboli i skuadrës, kapiteni Vioresin Sinani, “peshohet” në lekë, jo në euro, dhe sipas kësaj transparence, del se përfiton 200 000 lekë të reja në muaj.

Të 26 futbollistët i kushtojnë Bashkisë shkodrane 12 848 744 lekë të reja, ndërsa për trajnerin Josa është në fuqi kontrata me 1 500 euro mujorë. Në tërësi, stafi teknik prej 6 personash kushton 2 028 240 lekë.

Krejt mbajtja e klubit të futbollit është parashikuar të kushtojë rreth 40 milionë lekë të reja në periudhën nga gushti i këtij viti deri në 10 janar të vitit të ardhshëm. Shifra e saktë është 38 858 632 lekë, nga e cila 12 848 744 lekë janë për rrogat e lojtarëve dhe pjesa tjetër, 20 542 772 lekë janë për stafin teknik, administratën. Por janë edhe shpenzime për trajtim ushqimor prej 924 000 lekësh në 4 muaj dhe për qira shtëpish që shkojnë në 901 mijë lekë po për 4 muaj.

Vllaznia është kthyer në shoqëri aksionere gjatë verës, kur edhe u largua presidenti dhe sponsori Fushaj, dhe Bashkia është aksionerja e vetme e saj tani për tani.
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›