Januzi pret më shumë

Kombëtarja shqiptare i kishte filluar mirë eliminatoret për Euro 2012, por ka dështuar totalisht në ndeshjet e fundit, duke e mbyllur këtë fazë në pozitën e parafundit në Grupin D me 9 pikë të grumbulluara.
Ajo çka kanë fituar Kuqezinjtë në këtë periudhë ishin talentët. Roshi, Lilaj dhe Januzi ishin tre lojtarët të cilëve iu dha rasti nga selektori Josip Kuze në ndeshjet e fundit dhe ata nuk zhgënjyen. Sulmuesi kosovar Ahmed Januzi debutoi në një ndeshje zyrtare me Kombëtaren ndaj Francës, ndërsa luajti edhe me Rumaninë në ndeshjen e fundit.
Futbollisti i Vorsklas është i kënaqur që iu dha rasti, por e pranon se priste të luante më shumë dhe të jepte më shumë për Kombëtaren. “Secili lojtar ka dëshirë të luajë sa më shumë që të jetë e mundur, por është trajneri ai që vendos në fund. Unë jam i kënaqur që m’u dha rasti në dy ndeshjet e fundit kualifikuese, edhe pse minutazhi jo i mjaftueshëm nuk më lejoi t’i shfaq cilësitë e mia”, ka thënë Januzi për Express.
Ai mendon se Kuqezinjtë kanë mundur të kishin një pasqyrë më të mirë në këto kualifikime, por pret që në eliminatoret e ardhshme Shqipëria të ketë një imazh tjetër, sigurisht më të mirë.
“Kemi mundur ndoshta të bëjmë më shumë, pasi që vetëm Franca, deri diku edhe Bosnja, kishin diçka më shumë se ne. Por, mendoj se ndeshja me Luksemburgun na ka thyer moralisht, ngase aty humbëm gjithçka, humbëm të gjitha shpresat, u shuan edhe gjasat për kualifikim. Edhe pse është ende herët, mendoj se në kualifikimet e ardhshme mund të bëjmë më shumë në krahasim me këto kualifikime”, shton ish futbollisti i Kosovës së Vushtrrisë.
Januzi shpreson të jetë i efektshëm me ekipin e tij Vorskla, për të pasur mundësinë që në eliminatoret për Botërorin 2014 të ketë në këmbët e tij një minutazh më të madh dhe ta ndihmojë ekipin kombëtar drejt rezultateve të kënaqshme.
“Nëse luaj mirë me ekipin tim Vorskla, me siguri se do të kem minutazh më të madh në kualifikimet e ardhshme, qoftë aty trajneri Kuze apo dikush tjetër. Por, më nevojitet kohë, pasi duhet të ambientohem së pari sepse jam lojtar i ri te Kombëtarja, më duhet të filloj gjithçka nga zeroja. Sidoqoftë, kurdoherë që më jepet rasti, do ta jap maksimumin për Kombëtaren”, vijoi ai.
Me Erjon Bogdanin që po shkon drejt pensionit, Kombëtarja shqiptare mund të mbështetet në sulmuesin kosovar në të ardhmen. Ai e di se do të jetë e vështirë të zëvendësohet një lojtar si Bogdani, por thotë se nëse i besohet një pozitë e tillë, do të mundohet ta japë më të mirën për të kontribuuar për fanellën kuq e zi.
Januzi ishte pjesë e rregullt e ekipit U-21 të Shqipërisë, ndërsa deri tash ka pasur edhe tri paraqitje në përgjithësi me Kombëtaren A.