Mourinho nuk vjen kurrë te Barça

Mbrojtësi i Barcelonës, Carles Puyol paralajmëron se Jose Mourinho nuk do t’i bashkohet kurrë klubit katalunas. Përfaqësuesi spanjoll thotë se portugezi nuk do ta lë kurrë Santiago Bernabeun për të shkuar në Camp Nou. “Unë nuk do të shkoja kurrë në Madrid dhe Mourinho nuk do të kthehej kurrë në Barcelonë. Do të ishte e vështirë për të të vinte këtu”, theksoi Puyol për Antena 3.
Qendërmbrojtësi spanjoll i dha komplimente edhe rivalit jetësor Real Madrid, të cilin e ka konkurrent kryesor në La Liga dhe në Evropë. “Gjithmonë kishte rivalitet në mes nesh. Mendoj se Barça dhe Reali janë ekipet më të mira në Evropë dhe janë favorite për t’i fituar të gjithë titujt”, shtoi Puyol.
Puyol dëshiron ta ndihmojë ekipin katalunas drejt sukseseve tjera, pas lëndimeve të njëpasnjëshme që e përshkuan kohëve të fundit. “Jam ende i pasionuar siç kam qenë gjithmonë. Nëse nuk do të isha futbollist profesionist, do të luaja futboll në fshatin tim. Por, ndihem mjaft me fat. E shijoj futbollin dhe fitoret, që janë gjëja më e mirë”, përfundoi Puyol. Barcelona aktualisht prin në La Liga, ndërsa të shtunën do të luajë me Racing Santander.