E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë pacientë në gjendje të rëndë drejt Italisë

Ndërsa deri dje pasdite janë konfirmuar zyrtarisht 11 të vdekur në tragjedinë e Gërdecit, janë edhe 4 pacientë të tjerë me gjendje të rënduar shëndetësore. Autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se edhe ata pritet të dërgohen për ndihmë më të specializuar në spitalet e huaja. "Po negociojmë për të dërguar 3 pacientë në spitalet italiane për ndihmë të specializuar, ndërkohë që pjesa tjetër po trajtohet në spital normalisht. Jemi në kontakt të vazhdueshëm për pacientët e dërguar dy ditë më parë jashtë vendit", tha Bardh Spahia, drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, një nga negociatorët kryesorë me spitalet italiane. Përfaqësuesit e ambasadës italiane, me në krye ambasadorin italian në Shqipëri, kanë qenë të gatshëm në çdo moment për të ndihmuar pacientët me kujdes të specializuar jashtë Shqipërisë. Spitalet e vendeve fqinje, Itali dhe Greqi, kanë hapur dyert për pacientët shqiptarë. Plot 15 persona janë duke marrë trajtimin në spitalin universitar "Nënë Tereza" dhe 32 të tjerë në Spitalin Ushtarak. "Asnjëri nuk paraqet rrezik për jetën, një pjesë e tyre mund të kishin dalë, por duke pasur parasysh se nuk kanë ku të shkojnë janë mbajtur në spital", tha shefi i Traumës në Spitalin Ushtarak, Fatos Olldashi. Ndërsa, sipas drejtorit të spitalit, Bedri Mihaj, janë duke u bërë përpjekje, që një vajzë e cila ka dëmtime në kockë dhe në sy, bashkë me një pacient tjetër të dërgohen në Itali. Edhe Spitali Ushtarak po mban kontakte të vazhdueshme për gjendjen e pacientëve të transferuar në spitalin e Janinës. Ndërsa janë konfirmuar dy të vdekurit e parë, deri dje pasdite, jashtë vendit në Itali dhe Greqi janë transportuar gjithsej 16 të plagosur. Pacientët kryesisht janë me djegie të thella, ose me probleme okulistike. Të tjerë janë me çarje ose prerje nga orenditë e ndryshme apo xhamat e thyer nga shpërthimi i madh. Sipas mjekëve, problem tjetër i madh mbetet ende trauma që kanë përjetuar banorët e Gërdecit, të cilët ndodhen akoma në gjendje shoku. Shumica e tyre ende nuk i ka gjetur familjarët, ndërsa kanë shkëputur kontaktin që të shtunën në drekë. Në morgun e QSUT-së ndodhen katër trupa të pajetë, të cilët nuk janë verifikuar. Të katër trupat janë të vështirë për t‘u identifikuar, pasi janë të karbonizuar. Viktimat e gjetura dhe të identifikuara nga tragjedia e Vorës janë: Jetmir Ballazhi, Rajmonda Durda, Muhamet Hoxha, Besim Çanga, Hysen Cani, Jetmir Deliu, Roland Alla, Liliana Deliu, Flavio Deliu, Reshit Kruja, si dhe Azem Ameliu, i cili ndërroi jetë në spital në Itali.

Numri i personave të gjetur nga grupet e kërkim-shpëtimit të hënën në Gërdec, shkon në pesë, ku 4 trupa të pajetë ende nuk janë identifikuar, ndërsa u bë i mundur vetëm trupi i fëmijës 3-vjeçar, Falvio Deliu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›