Arrin në 15 numri i viktimave të tragjedisë
Arrin në 15 numri i viktimave të tragjedisë
Numri zyrtar i viktimave të tragjedisë së shkaktuar nga shpërthimi në fabrikën e çmontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec ka arritur në 15 dhe të gjitha gjasat janë që ai do të vazhdojë të rritet në ditët në vazhdim. Gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit që po zhvillohen nga forcat e ushtrisë në zonën e shpërthimit, dje është bërë e mundur gjetja e katër trupave të pajetë, të cilët ishin krejtësisht të karbonizuar. Për këtë shkak, edhe identifikimi i tyre ka qenë shumë i vështirë dhe deri në orët e vona të mbrëmjes nuk është bërë i mundur. Gjithashtu, është gjetur edhe trupi i pajetë i 3-vjeçarit Flavio Deliu. Kufoma e tij është nxjerrë nga rrënojat e shtëpisë së tij, që ndodhej në afërsi të zonës së kraterit. Në momentin e shpërthimit fëmija ka qenë duke luajtur në oborrin e shtëpisë së tij, që gjendej afër fabrikës ushtarake. Një ditë më parë ishte gjetur edhe trupi i nënës së Flavios, 24-vjeçares, e cila ishte shtatzënë dhe që humbi jetën në të njëjtën ditë gjatë shpërthimit tragjik të fabrikës.
Ndërkaq, lajme të dhimbshme vijnë edhe nga përtej Adriatikut, nga Italia fqinje, ku janë dërguar me urgjencë një pjesë e të plagosurve në gjendje më të rëndë. Azem Ameliu, 46 vjeç, ka mbyllur sytë në një nga spitalet italiane, për shkak të djegieve të pësuara gjatë shpërthimit. Lajmi u konfirmua nga burimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa mjekët e Spitalit Ushtarak kishin thënë se ai kishte pasur më shumë se 60% të trupit me djegie të shkallës së tretë. Në gjendje të rëndë, në të njëjtin spital ndodhet edhe 6-vjeçari Erison Durda.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë me intensitet dhe ushtarakët i janë afruar zonave të kraterit të shpërthimit, ku mendohet se ka ende trupa të karbonizuar nga flakët. Por, për fat të mirë, nga kërkimet kanë rezultuar edhe persona ende të gjallë, që kanë arritur të fshihen dhe të shpëtojnë nga shpërthimi. Kështu, dje forcat e ushtrisë kanë gjetur një fëmijë 9-vjeçar, i cili rezultonte i humbur që prej ditës së shtunë. Ai është gjetur i fshehur afër banesës së tij dhe sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Brendshme gëzon shëndet të mirë.
Dhjetëra protestues bllokojnë autostradën
Autostrada Tiranë-Durrës është bllokuar dje pasdreke për rreth 4 orë nga banorë të fshatit Gërdec dhe zonës për rreth. Disa dhjetëra banorë të irrituar nga humbjet njerëzore, por edhe materiale që shkaktoi shpërthimi i fabrikës së çmontimit të municioneve luftarake, me parulla në duar, kanë dalë në rrugë në afërsi të Vorës, duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes. Duket se paniku dhe tmerri i ditëve të para pas tragjedisë, si dhe dhimbja për humbjen e njerëzve të afërt, ia ka lënë vendin irritimit, i cili është shfaqur hapur dje. Protestuesit, të cilët akuzonin drejtpërdrejt qeverinë si shkaktare të ngjarjes së rëndë, deklaruan se nuk do ta lëshonin rrugën deri sa të jepnin dorëheqjen Berisha e Mediu, si dhe deri sa të zhdëmtoheshin për humbjet që u ishin shkaktuar nga shpërthimi. Ndër kërkesat e tjera që kanë bërë protestuesit, ishte ajo e heqjes së 13 cisternave të gazit që ndodhen në autostradë, shumë pranë Vorës. Banorët e qytetit të vogël thanë se këto depozita janë një rrezik për ta, ashtu sikurse edhe fabrika e municioneve.
Autostrada ka mbetur e bllokuar për disa orë dhe protestuesit e kanë liruar, duke lejuar të kalonte vetëm një kortezh vdekjeje. Policia e pranishme në vendngjarje është përpjekur të qetësojë situatën, duke u kërkuar protestuesve lirimin e rrugës. Por asgjë nuk ua ka mbushur mendjen atyre. Rreth orës 17.00, disa djem të rinj kanë shkuar edhe më tej, kur u kanë vënë zjarrin në mes të rrugës disa gomave të makinave. Reagimi u duk sikur u shkaktua nga rritja e prezencës së uniformave blu, çka u mendua se do të ishte përgatitja për një ndërhyrje të mundshme të policisë. As lajmi i dorëheqjes së ministrit Mediu nuk u duk ta zbuste protestën. Banorët qëndruan në rrugë deri në orët e pasdites, kur dhe u shpërndanë qetësisht, duke paralajmëruar ridaljen në protesta të përditshme, deri në zgjidhjen e kërkesave të tyre.
Ndërkaq, në orët e para të ditës së djeshme ka pasur përplasje midis banorëve të Gërdecit, të cilët donin të riktheheshin në shtëpitë e tyre dhe forcave të policisë ushtarake, të cilat kishin bllokuar të gjithë zonën dhe nuk e lejonin hyrjen e banorëve. Drejtuesit e patrullave të ushtrisë u përpoqën me gjakftohtësi t‘u shpjegonin banorëve se hyrja në fshat ishte me rrezik për jetën e tyre, pasi në zonë kishte ende shumë predha të pashpërthyera, të cilat mund t‘u merrnin jetën. Por, banorët nga ana e tyre kanë këmbëngulur që të lejoheshin të kalonin. Me thirrje dhe nervozizëm të dukshëm ata kanë kërkuar të riktheheshin nëpër banesa, pasi kishin sinjalizime se ato po grabiteshin nga persona të tjerë. Me gjithë këmbënguljen e madhe, ata nuk janë lejuar nga policia ushtarake të hynin në zonën e shpallur tashmë zonë fatkeqësie.