Tragjedia e Gërdecit, 3500 nxënës mbeten pa shkollë
Afro 3500 nxënës që mësonin në fshatin Gërdec dhe tre të tjerë përreth, kanë mbetur pa mësim. Ministria e Arsimit bëri të ditur se nga tragjedia janë prishur katër shkolla të arsimit 9-vjeçar në këtë zonë. Përkatësisht shkolla e Gërdecit, Vorës, Marikajt dhe Marqinetit. Pra nxënësit që mësonin në këto shkolla do të rrinë pa mësim deri në një urdhër të dytë të ministrit të Arsimit.
Pollo nuk ka vendosur afat për kohën e pezullimit, pasi gjithçka varet nga normalizimi i fshatit Gërdec dhe tri zonave të dëmtuara nga shpërthimi. Pra në momentin që banorët e fshatit Gërdec lejohen që të kthehen në banesat e tyre, atëherë lejohet edhe vazhdimi i mësimit në këtë shkollë. Ndërsa për Vorën, Marikajn dhe Marqinetin, mësimi mund të fillojë më shpejt. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, dhe zv.ministri i Arsimit, Halit Shamata, kanë qenë në Vorë me zyrtarë të arsimit. Sipas inspektorëve të arsimit, në disa shkolla ka pasur dëmtime, kryesisht të dyerve dhe dritareve.
Ministri Pollo tha se në shkollat bazë, të dëmtuara nga shpërthimi, mësimi do të pezullohet, duke filluar që nga kjo e hënë, deri në normalizimin e gjendjes. Ndërkohë dje, mësuesit dhe drejtorët e shkollave, duhet të angazhoheshin për pastrimin dhe inventarizimin e shkollave. Ndërsa në fillim të kësaj jave, MASH-i dhe Pushteti Vendor do të fillojnë punën për riparimet e domosdoshme në shkollat e dëmtuara. Mësohet se nuk ka pasur dëmtime të mëdha në këto objekte. Sipas Ministrisë së Arsimit riparimet mund të kryhen shumë shpjet, por problem mbetet normalizimi i zonës, pasi në varësi të saj është edhe rikthimi i mësimit në shkolla.
Fëmijët e këtyre zonave gjenden të traumatizuar nga ngjarja, ndaj është i pamundur përcaktimi i afateve për rifillim.
Shumë prej tyre kanë humbur të afërmit në këtë tragjedi. Mosha e viktimave dhe të plagosurve rëndë tregon se shumë nga ata kanë qenë të mitur. Çka do të thotë se ndonjë nxënës nuk mund t‘i kthehet kurrë më shkollës.