E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futbolli, një milion lekë financim për të dëmtuarit

Përveç problemeve që shqetësojnë sot më shumë se kurrë futbollin në vendin tonë, FSHF ka reaguar edhe rreth ngjarjes tragjike në fshatin Gërdec. Në mbledhjen e radhës së Komitetit Ekzekutiv janë marrë disa vendime për t‘ju gjendur pranë personave të dëmtuar nga shpërthimet e fuqishme në afërsi të kryeqytetit. Ashtu sikundër ka ndodhur në çdo moment tjetër dhimbjeje, institucioni që drejton futbollin ka vendosur të japë ndihmën e tij. "Federata Shqiptare e Futbollit ka ndjekur me mjaft shqetësim dhe dhimbje ngjarjen dramatike të Gërdecit, ku ka pasur disa të vrarë dhe qindra të plagosur, pas një serie shpërthimesh. Duke ngushëlluar familjet e viktimave, duke ju uruar të lënduarve shërim sa më të shpejtë dhe duke qenë pranë të pastrehëve nga shpërthimi tragjik, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, vendosi të derdhë një kontribut prej 1 milion lekësh (të reja), në numrin e llogarisë së hapur te ‘Raiffeisen Bank‘", lexohej në vendimin e djeshëm. "Gjithashtu, është vendosur që në të ardhmen e afërt, në fshatin Gërdec, të ndërtohet një fushë futbolli, e cila do të vihet në dispozicion të fëmijëve të kësaj zone, në mënyrë që edhe ata të kenë mundësi të argëtohen dhe stërviten si të gjithë fëmijët".

Menjëherë pas ngjarjes së të shtunës, federata vendosi që të ndërpriste të gjitha aktivitetet futbollistike. Sporti më popullor në vend do të rifillojë normalisht gjatë kësaj fundjave, ku të gjitha skuadrat do të vazhdojnë garën, por përsëri me këtë tragjedi në mendje. "Në ndeshjet e radhës të Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë do të mbahet një minutë heshtje për të nderuar kujtimin e viktimave të kësaj tragjedie", vazhdonte vendimi i Ekzekutivit. Të gjithë futbollistët e skuadrave që militojnë në aktivitetet profesioniste në vend do të mbajnë në krah nga një shirit të zi".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›