E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mburoja amerikane në Ukrainë?

Rusia ka shprehur brengën e saj për shkak të deklaratave të SHBA-së, se Washingtoni mund të shfrytëzojë një stacion të radarit në Ukrainë, në kuadër të planit të vet të ristrukturuar për mburojën anti-raketore, hap ky i cili mund të dëmtojë përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Rusia, e cila është tejet e ndjeshme, kur bëhet fjalë për bashkëpunimin e mundshëm mes SHBA-së dhe ish-republikave sovjetike, fillimisht ka mirëpritur vendimin e presidentit amerikan, Barack Obama, për të hequr dorë nga plani i paraardhësit të tij, George Bush, për të vendosur sistemin e mburojës anti-raketor në Evropën Qendrore.

Por Moska është irrituar nga deklaratat amerikane, se shtetet, si Ukraina, mund ti kontribuojnë informatave për vërejtje të hershme, në kuadër të planit të korrigjuar për mburojë dhe nga njoftimet se negociatat për këtë çështje, ndërmjet SHBA-së dhe Ukrainës, tashmë kanë filluar.

Jemi të brengosur, tha zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov, i pyetur për shfrytëzimin e mundshëm të radarëve në Ukrainë nga ana e SHBA-së.

Këto komente të tij lënë të kuptojnë një goditje të re për përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, pas grindjeve të fundit si pasojë e luftës në Gjeorgji, në vitin 2008, zgjerimit të NATO-s drejtë kufijve të Rusisë dhe mburojës anti-raketore.

Që nga korrigjimi nga ana e administratës së Obamës të planit nga epoka e Bushit, Moska ka theksuar se sistemi i propozuar tani nga Washingtoni lë shumë çështje të hapura dhe Moska ka refuzuar që të mbështetë publikisht qëndrimin e Washingtonit ndaj Iranit.

Administrata e Bushit kishte planifikuar që të stacionojë raketa në Poloni dhe një radar në Çeki, për tu kundërpërgjigjur ndaj sulmeve të mundshme të Iranit.

Ky plan është kundërshtuar ashpër nga Moska, e cila ka theksuar se sistemi amerikan ka mundur të shfrytëzohet, për të neutralizuar arsenalin bërthamor të Rusisë. Rusia nuk pranoi argumentet amerikane se plani nuk është i drejtuar kundër Rusisë.

Sipas planit të ri të Obamës, raketat do të stacionoheshin në det të hapur dhe në Europë dhe ky sistem nuk do të kishte nevojë për ndonjë qendër të madhe të radarit në Europë.

Ambasadori i Ukrainës në SHBA, Oleh Shamshur, u citua të ketë thënë se negociatat me Ëashingtonit për shfrytëzimin e stacioneve të radarëve në Ukrainë tashmë kanë filluar.

Procesi ende është në fazat fillestare, u citua Shamshur nga agjencia Interfax. Ai theksoi se udhëheqësit e Ukrainës edhe më herët e kanë mbështetur këtë ide.

Shamshur sugjeroi se Rusia nuk e ka shfrytëzuar rastin, për të përdorur informatat e stacioneve të radarëve në Ukrainë.

Komentet e Shamshurit sugjeruan se SHBA-ja mund të shfrytëzojë dy radarë nga periudha sovjetike, një në Mukachevo, në perëndim të Ukrainës dhe tjetrin në afërsi të qytetit Sevastopol, në Detin e Zi. Ministria e Jashtme e Ukrainës nuk pranoi të komentojë këtë informatë.

Më 12 tetor, presidenti i Ukrainës, Viktor Yushchenko, theksoi se Ukraina mund të vë këto dy stacione në dispozicion, në kuadër të sistemit kolektiv për sigurinë e Europës.

(Reuters)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›