E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rumani, Basescu propozon qeveri të Bashkimit Kombëtar

BUKURESH - Presidenti rumun Traian Basescu propozoi sot një qeveri të bashkimit kombëtar për të zëvendësuar qeverinë e qendrës së djathtë që u rrëzua dje me një mocion mosbesimi të opozitës. "Ju sugjeroj idenë e shqyrtimit të mundësisë së një qeverie të bashkimit kombëtar", deklaroi presidenti gjatë një takimi me të gjithë kryetarët e grupeve të partive politike të Rumanisë në pallatin presidencial.Duke këmbëngulur në krizën ekonomike me të cilën po përballet Rumania, ai e hodhi poshtë idenë e një qeverie teknokratësh për një mandat të kufizuar siç kërkojnë disa parti. Tre partitë e opozitës kanë propozuar më parë kryetarin e Bashkisë së Sibiu-t (në qendër) Klaus Iohannis si kandidat për postin e kryeministrit për të zëvendësuar liberaldemokratin (PDL) e rrëzuar Emil Boc. Basescu, edhe ai nga radhët e PDL-së, nuk është shprehur lidhur me këtë propozim. Sipas Kushtetutës, i takon kryetarit të shtetit të emërojë kryeministrin, pas konsultimeve me partitë politike të përfaqësuara në parlament.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›